Është mbyllur ndeshja mes Vllaznisë dhe Teutës 0-0. Ndeshja e “Loro Boriçit” vlente për javën e 31 të Superligës, ndërsa vendasit kanë pasur dy raste të mira me Imerin. Barazimi mes tyre i vlen Partizanit, që me fitoren ndaj Apolonisë merr kreun e renditjes.

Ndeshja ka nisur mirë për Vllazninë që ka shansin e artë me Imerin në minutën e katërt. Fantazisti gaboi nga më pak se 10 metra, duke bërë që Brdaric të tërbohej në stol.

Pjesa e parë është mbizotëruar nga frika, nëse në të dytën vendasit kanë marrë inisiativën pa ia dalë të gjejnë rrjetën. Vllaznia qëndron në vendin e tretë me 54 pikë, ndërsa Teuta në vendin e dytë me 56 pikë, një më pak se Partizani kryesues.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli, trajneri i Teutës Edi Martini:

“Hap fals? Nuk mundem me thënë, sot ne nuk erdhëm për barazim. Kishim llogaritur të ruanim energjitë në pjesën e parë dhe të kërkonim presionin në pjesën e dytë, kishim rastet tona por si erdhi loja barazimi ishte më mirë.

Është e vërtetë që nuk patëm raste para porte duke e ditur me kë luanim, ishte ndeshje e tensionuar me nerv dhe Vllaznia pati dy raste që njërin ia dhuruam ne.

Bregu vuajti me Gurishtën? Ndeshje të tilla janë fragmentet që e zgjidhin, Dejvi është i markuar në çdo ndeshje nga dy kundërshtarë. Nuk duhet të presim vetëm nga ai, kemi Vilat edhe Krasniqin përpara.

Vjet kemi bërë lojë më të mirë, këtë sezon nuk e kemi zëvendësuar numrin 10. Jo se skuadrat e tjera kanë bërë më mirë, kemi preferuar ndërrimet në fitoret minimale sepse mund të fitonim me 5 gola. Duhet të jemi cinikë, pragmatistë dhe të marim ato çka duhet”, tha Martini.