Barazimi 1-1 në Shkodër ndaj Vllaznisë, në ndeshjen e parë gjysmëfinale, erdhi në limitin e kohës shtesë. Ky fakt, kur Egnatia e udhëhoqi rezultatin e ndeshjes së parë që nga minuta e 62-të pas golit, tregoi se ambiciet e skuadrës rrogozhinase për të shkuar për herë të parë në finale, janë të mëdha.

Kështu, veçmas performancës së mirë në 32 javët e deritanishme të kampionatit, Egnatia po shpalos objektivat e saj edhe në Kupë, ku nesër në 14:00 në stadiumin e vet do të kërkojë të arrijë finale e parë në historinë e klubit.

ASNJË HUMBJE – Rrugëtimi i Egnatias në tri turet e mëparshme ka kaluar me fitore dhe epërsi ndaj të gjitha ekipeve që ka pasur përballë.

Konkretisht në turin e parë eliminoi Shkumbinin fqinj, duke arritur dy triumfe me shifrat e njëjta 3-0, si në Peqin, ashtu dhe në “Arena Egnatia”. Në turin e dytë triumfuan 1-0 në Korçë ndaj Skënderbeut, dhe takimi i kthimit në Rrogozhinë u mbyll në barazim 1-1, duke siguruar kalimin në çerekfinale.

Në këtë tur, pas barazimit pa gola në shtëpi ndaj Laçit, në ndeshjen e kthimit erdhi ai shpërthim, duke fituar pastër dhe thellë 3-0 ndeshjen e kthimit në Laç. Edhe në gjysmëfinalen e parë ndaj Vllaznisë Egnatia me barazimin 1-1 e ka zero kolonën e humbjeve në 7 ndeshje, ku ka arritur 4 fitore e 3 barazime dhe një golavarazh pozitiv me 12 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Edhe këto tregues statistikorë të favorshëm janë një avantazh para sfidës së nesërme në gjysmëfinalen e kthimit ndaj shkodranëve, me të cilët Egnatia gjatë këtij sezoni nuk njeh asnjë humbje.