Esin Hakaj do jetë futbollisti i rradhës që do rinovojë me Vllazninë. Mbrojtësi i majtë dhe një ndër më të spikaturit në kampionat, ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit kuqeblu. Në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, 25-vjeçari shprehet i lumtur për këtë rinovim, ku thekson se Vllaznia për të ishte opsioni i parë.

Hakaj tha: “Jam i lumtur që do vazhdoj të jem tek Vllaznia. Ky është ekipi im i zemrës, ku u rrita dhe konfirmova në futbollin profesionist. Tashmë do jem sërish këtu edhe për sezonin që vjen.

Kisha bisedime prej disa ditësh me drejtuesit, ku tashmë gjetëm dakordësinë. Por di të them se brenda Shqipërisë, Vllaznia ishte opsioni im i parë, prandaj jam i gëzuar se çdo gjë u mbyll me sukses.

Objektivat e së ardhmes ? Për momentin të rikthehemi në stërvitje dhe të kapim formën më të mirë. Gjithashtu uroj që të bëjmë sa më mirë në Europë në ndeshjet që do jenë në korrik. Pastaj për kampionatin e sezonit që vjen do kemi kohë për të folur në të ardhmen”.
Endri ÇINARI