Besoj të gjithë e mbajnë mend Jurgen Gjinin me atë eurogol të shënuar vite më parë me roveshatë për Vllazninë në ndeshjen ndaj Pogradecit… Para disa vitesh, Gjini shënonte shpesh herë dhe ishte ndër më të mirët te shkodranët, por vuajti dëmtimet e shumta, teksa të njëjtën gjë po vuan edhe këtë periudhë.

Megjithatë, duke nisur nga kjo javë, ai do të kthehet në fushë e blertë, me ekipin e tij, Vëllaznimin, teksa pritet të shndërrohet në një lojtar kyç në repartin e sulmit te gjakovarët.

Duhet thënë se tek Vëllaznimi luajnë edhe disa lojtarë të tjerë të njohur, shkodranë dhe shqiptarë, siç janë Zamir Vjerdha, Raul Pllumbi, Antonio Marku, Alush Gavazaj, Dejvi Bilali dhe Donat Toma, pa harruar edhe Gjinin.

Ndërkohë, vetë Gjini në një intervistë për “Shkodra Sport”, flet për ekipin e tij, teksa u shpreh se me ndihmën e këtyre lojtarëve me emër, mund ta arrijnë objektivin e tyre që ata kanë.

“Sezoni në Kosovë po shkon mirë. Kalova një fazë dëmtimi, por tashmë situata është normale dhe ndeshjet e mbetura të kampionatit, do jap kontributin tim për objektivat e klubit. Historia e klubit është e madhe. Klubi nuk e meriton pozicionin, ku është tani. Besoj që shumë shpejt do të kthehet në vendet që i takon.

Sa i përket dëmtimeve të mia, besoj se çdo gjë është kthyer drejt normalitetit dhe tani ndihem në formën më të mirë.Objektivat e skuadrës janë dalja në Superligë dhe shpresojmë që t’ia arrijmë qëllimit.

Mendoj se mund ta arrijmë objektivin, pasi në skuadër kemi lojtarë mjaft cilësore, si Vjerdha, Pllumbi, Antonio Marku, Gavazaj, Bilali dhe Toma, poashtu edhe lojtarët vendas.

Objektivi im personal lidhet me skuadrën. Në qoftë se, arrijmë objektivat sezonal të skuadrës, atëherë edhe objektivi personal është i arritur”,-thotë ai.

Në fund, kur pyetet për ecurinë e Vllaznisë, Gjini thekson se shkodranët duhet të ishin më lart në renditje, teksa shpreson që pjesën e mbetur të sezonit, ata t’i arrijnë objektivat e tyre.

“Po, e kam ndjekur Vllazninë. Mendoj se Vllaznia duhet të ishte më lart në renditje, duke parë lojën që zhvillon në fushë, por kështu është futbolli. Shpresoj që në këtë pjesë të mbetur të sezonit, Vllaznia t’i arrijë objektivat”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Vëllaznimit, Jurgen Gjini.
Maringlen ZHIVANI