Melos Bajrami është goditja e tretë në merkato e Vllaznisë. Mbrojtësi i cili në shtator mbush 23 vjeç, në sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit të Gjilanit në kampionatin kosovar, ku ka spikatur me performancën e tij. Tashmë vjen në Shkodër dhe sigurisht që premton se do të bëjë mirë.

Ditën e djeshme ai ka firmosur me kuqeblutë një kontratë 1+1 dhe më pas është prezantuar nga klubi Vllaznia duke premtuar se emocione të forta na presin. Ndërkohë Bajrami ditën e sotme ka dhënë edhe një intervistë të shkurtër ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” ku është shprehur:

– Melos urime për kontratën me Vllazninë…

Faleminderit!


– Cila është arsyeja që vendosët për të ardhur në Shkodër?

Jam shumë i lumtur që tashmë jam pjesë e Vllaznisë. Ofertat në tavolinë ishin të shumta, por kur pashë atë të ekipit të Vllaznisë, nuk u mendova dy herë por thashë menjëherë “po” sepse është privilegj për çdo futbollist të jetë pjesë e kësaj skuadre me shumë emër.

– Tifozët kuqeblu e kanë mirëpritur ardhjen tuaj. Keni ndonjë premtim për to?

Tifozëve iu premtoj që do jap maksimumin për fanellën kuqeblu dhe shpresoj që në fund ta sjellim titullin kampion në Shkodër.

– Kjo është hera e dytë që vini për të luajtur në Shqipëri sepse para tre sezonesh keni qenë pjesë e Skenderbeut. Atëherë keni qenë i ri, por tani më i formuar si futbollist besoj apo jo?

Kthehem pas 3 viteve në Superiore, besoj se jam në moshën time më të mirë dhe në pjekurinë ku mund ta ndihmoj ekipin në objektivat që ai ka.


– Ndonëse është shumë herët, si e mendoni Vllazninë e sezonit të ri, do të jetë sërish pretendente?

Skuadra është ende duke u ndërtuar dhe kuptohet që është ende herët për të folur, por jam shumë i bindur se Vllaznia çdo herë është pretendente./www.shkodrasport.com/