Saimir Patushi është një nga ata ish-lojtarë, që ka provuar të luajë me Vllazninë dhe të fitojë poashtu edhe titullin kampion me ekipin shkodran, rreth 20 vite më parë. Patushi, ish-futbollisti nga Burreli, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka folur për Vllazninë aktuale, për të cilën ka thënë se ai në këndvështrimin e tij e shikonte që shkodranët këtë sezon të ishin me hap kampioni, por i ka rezultuar e kundërta.

I pyetur për shkarkimin e trajnerit Brdariç, Patushi tha se ish-tekniku gjerman duhet të mbajë përgjegjësi për blerjet e bëra, teksa ka edhe një këshillë për trajnerin e ri Elvis Plori. Kur pyetet nëse do e pranonte stolin e Vllaznisë, nëse në drejtim të tij, do kishte një ofertë, ai tha se nuk i thotë jo shkodranëve, por preferon që t’ia lërë të ardhmes.

“Të them të drejtën, unë e shikoja që Vllaznia këtë sezon të ishte në hapa si Tirana, me pritshmërinë, që ka ai klub dhe me prezantimin që vitin e kaluar bënë, unë mendoja që do ishte pretendente, por rezulton e kundërta. Uroj që këto 11 javë të mbetura të marrë maksimumin.

Unë besoj që Vllaznia dështoi këtë sezon, sepse gjërat duhet t’i kishin marrë me këmbë në tokë dhe jo me euforinë e vitit të kaluar, sepse Vllaznia duhet të menaxhonte mirë grupin e lojtarëve që kishte sezonin e kaluar, duke e plotësuar me tre-katër elementë cilësorë dhe jo me dyndje lojtarësh, që të vjen keq, që hoqën pjesën më të madhe të lojtarëve të Akademisë.

Unë besoj se keqmenaxhimi i lojtarëve me shumicë ka çaluar në këtë edicion. Unë besoj se skuadra ishte dhe nuk kishte nevojë për 12 apo 13 lojtarë të afruar. E dyta, vjet ishte mbrojtja që fuste ujë dhe besoj që bënë gabim, që nuk morën masa, sepse të dalësh kampion, duhet të pësosh shumë pak. E treta që ndodh rëndomtë në Shqipëri, besimi i tepruar tek të huajtë.

Nuk besoj që futbolli ynë, ka nevojë për këta sportistë, që vijnë pa masë dhe janë nën nivel dhe u presin rrugën të rinjve. E katërta dhe e pafalshme e presidentit Xhaferi, pse nuk ka besim te lojtarët bio ose shqiptar, por i besoi drejtorit teknik Djarmati dhe trajnerit Brdariç, një batërdi në merkato.

Unë e kam mirëpritur në fillim trajnerin Brdariç, si gjithë të tjerët dhe i heqim kapelën për çfarë vjet bëri ky trajner. Për emocionet që na dha. por është e pafalshme për një trajner si ai, që pas një vit e gjysëm, mos të dish se ku po trajnon. Me hir dhe pahir, ke pranuar me këto kushte, që të jesh pjesë e Vllaznisë, që e kanë ëndërr të gjithë ta drejtojnë.

Eshtë e pafalshme për të, me një intervistë që dha në një media gjermane, por nuk e detyroi njeri me zor të rinovonte me Vllazninë. Unë besoj se ishte i mirëpaguar. Ne i dimë kushtet e vështira, që mbart trajnimi në Shqipëri, por ky trajner ishte me drejtorin teknik Djarmati, që blenë 13 sportistë. Lind pyetja pse një batërdi e madhe? Pse kaq shumë presidenti Xhaferi ua la dorën e lirë?

Atëherë, pse ky trajner nuk duhet të mbajë përgjegjësi? Pse duhet të sillet ashtu edhe me gazetarët? Pse ne ua bëjmë qejfin këtyre arrogantëve, sepse ky duhet të ishte larguar që në dhjetor, kur u shpreh keq për Vllazninë në një intervistë. Zoti trajner ta dish mirë ti që, Vllaznia është fe, është jetë, është çmenduri për atë qytet, që ti nuk e kuptove një herë.

Duhet të folim për të mirë të futbollit dhe për atë qytet. Për atë fanellë, se të huajtë, i mbajmë në pëllëmbë të dorës, kurse shqiptarët i masakrojmë, kur nuk kanë rezultat. Përse mos të mbajë Brdariç përgjegjësi për një mori lojtarësh, që nuk dinë ku shkojnë në fushë.

Përse vjet me një grup simpatik lojtarësh, humbet titullin për një gol, duke qenë se shkuan në 9 pikë diferencë. Përse, Brdariç me drejtorin teknik Djarmati, nuk e mbajtën grupin e vitit të kaluar dhe të merrnin tre apo katër lojtarë cilësorë, por siç ndodh rëndomtë këtu te ne, kapim çfarë të kapim dhe ikim për të ardhur keq.

Elvis Plorit i uroj suksese. Punë e vështirë e pret, por duhet të mbajë grupin e lojtarëve jashtë presionit dhe të orientojë sa më mirë mbrojtjen dhe të ketë pak fat.

Mbase çdo fëmijë, ka ëndrra dhe unë kam qenë njeri, që ëndrrat i realizova te Vllaznia kampione. Unë do e klasifikoja atë titull çmenduri dhe realitet për atë klub, atë fanellë, atë qytet, atë sportdashës, që është i mrekullueshëm dhe pa harruar një ikonë ose një njeri me zemër të madhe, presidentin Myftar Çela. Rrespekt për çfarë ai i dha atij klubi, atij qyteti, asaj fanellë. Unë përulem me rrespekt të madh ndaj tij, për punën e bërë.

Padyshim që, realizova një ëndërr që e ka çdo sportist dhe më vjen keq, që nuk vazhdoi, por vetë sporti, është që ndryshon destinacion edhe tek ekipet e tjera, por siç e thashë edhe më parë, ishte shumë e bukur dhe e çmendur. Pastaj, ishte vetëm fillimi, që e mësova te Vllaznia, pastaj tjetër gjë te ekipet e tjera, sidomos te Tirana vite shumë për netë dimri.

Për mua, do ishte një çmenduri si trajner te Vllaznia. Nuk besoj që ka ndonjë, që i thotë jo Vllaznisë, por ia lëmë të ardhmes”,-mbylli prononcimin e tij ish-futbollisti i Vllaznisë, Saimir Patushi.

Maringlen ZHIVANI