Ish-mesfushori i Dinamos në sezonin e fundit, Redon Mihana është në fokusin e klubit të Vllaznisë. “Shkodra Sport” ka mësuar se ish-futbollisti i bluve, mund të bashkohet me ekipin e Vllaznisë.

Megjithatë, për Mihanën një firmë në Shkodër nuk duket krejtësisht e lehtë, edhe pse bisedimet me futbollistin pothuajse janë në rrugë të mbarë. Tiranasi, i dalë nga Apolonia, ka ende kontratë me fierakët dhe nisur nga kjo, atij do t’i duhet që më parë të zgjidhë problemin e divorcit me klubin fierak.

Kujtojmë se, së fundmi edhe tek Dinamo ka luajtur në formë huazimi nga Apolonia. “Shkodra Sport” mëson se ai nuk e ka fshehur kënaqësinë për të veshur fanellën kuqeblu, por ka një kontratë me Apoloninë momentalisht, teksa ai ka lënë sërish një derë hapur për një firmë me kuqeblutë.

Shkodranët e pëlqejnë profilin e Mihanës dhe i kanë bërë ofertën e tyre. Vetë ai, ka ofertë edhe nga Teuta dhe po mendohet për të ardhmen e tij.

Gjithsesi, për t’u bashkuar me Vllazninë, do t’i duhet të gjejë një konsensus me Apoloninë. Në të kundërt, nëse shkodranët do ta kërkojnë me ngulm Mihanën, mund të ketë edhe një marrëveshje mes presidentëve të klubeve, Alban Xhaferit të Vllaznisë dhe Koço Kokëdhimës të Apolonisë.

Megjithatë, ajo që është e sigurtë është se deri më tani, nuk ka ende diçka përfundimtare mes Vllaznisë dhe Redon Mihanës dhe një gjë e tillë lë gjithçka të hapur në vijim.
Maringlen ZHIVANI