Në Shkodër, futbolli është jetë dhe fe. Tashmë, pas titullit dhe Kupës së fituar nga Vllaznia e femrave, e cila në nëntë vite rradhazi ka qenë kampione absolute, duket se edhe me U-16 e femrave shkodrane po nis një cikël i artë.

Para dy ditësh, vajzat shkodrane arritën të fitojnë kampionatin në ndeshjen finale me penallti ndaj Teutës. Kapitenja e Vllaznia U-16, Klaudia Boriçi, në një intervistë për “Shkodra Sport”, tregoi më shumë detaje rreth këtij kampionati, që sivjet u zhvillua për herë të parë dhe që kishte pretendente kryesore për titullin ekipin shkodran të vajzave të U-16.

Boriçi u shpreh se është një emocion të ngresh një trofe lart si kapitene, ndërsa theksoi se në këtë kampionat, Vllaznia nuk kishte konkurrencë me asnjë ekip tjetër.

“Për mua, është një emocion të ngresh trofeun lart me Vllazninë. Në fakt, në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, ishte një ndeshje e vështirë, sepse vetëm falë penalltive, ne dolëm kampione.

Në kampionat, nuk është se kemi ndjerë konkurrencë me ndonjë ekip tjetër. Kemi dhënë maksimumin dhe ia dolëm.

E ardhmja ime nuk i dihet, por me U-16 besoj se vitin tjetër do dalim sërish kampione. Këtë trofe ia dedikoj familjes dhe ekipit, sepse e kemi merituar këtë trofe”,-mbylli prononcimin e saj për “Shkodra Sport”, kapitenja e Vllaznia U-16, Klaudia Boriçi.
Maringlen ZHIVANI