Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia është shumë pranë afrimit të portierit malazez Mišo Dubljanić. “Shkodra Sport” mëson se 26-vjeçari pritet t’i bashkohet shumë shpejt kuqebluve, madje gjasat janë që ai të jetë pjesë e ekipit që do të nisë fazën e dytë përgatitore në Pukë.
Dubljanić është një portier 2.03 metra i gjatë, i lindur në Nikshiq dhe produkt i akademisë së Sutjeskës. Në karrierën e tij ka luajtur me Dynamo České Budějovice në Çeki, Spartak Subotica dhe Jedinstvo Ub në Serbi, si dhe së fundmi me Rudar Prijedor në Bosnje. Ai ka grumbulluar mbi 100 paraqitje në elitën serbe dhe boshnjake, ndërsa spikat për dominimin në lojën ajrore dhe sigurinë në portë.
Paraqitjet e mira i siguruan edhe ftesën e parë në Kombëtaren A të Malit të Zi gjatë këtij viti, ku më pas regjistroi edhe debutimin me fanellën përfaqësuese. Burime pranë klubit bëjnë me dije se marrëveshja është shumë pranë finalizimit dhe mbeten vetëm hapat e fundit për zyrtarizimin.
Vllaznia kërkon të forcojë ndjeshëm repartin e portës përpara nisjes së sezonit të ri dhe Dubljanić shihet si profili i duhur për t’i dhënë më shumë garanci skuadrës së Edi Martinit. Kuqeblutë do të zhvillojnë fazën e dytë përgatitore në Pukë, ndërsa më pas do të fokusohen te ndeshja e javës së parë të kampionatit, ku në stadiumin “Loro Boriçi” do të presin Skënderbeun.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


