Ka qenë një e enjte e vështirë për Tiranën. Edhe pse mund të kishte bërë gjëra të mëdha, në fund të ditës mori vetëm një eliminim. Dhe në fund Orges Shehi ka marrë vetë gjithçka përsipër, duke u dhënë zemër lojtarëve.

Në dhomat e zhveshjes Shehi ka mbajtur një qëndrim të lartë dhe ka marrë përgjegjësitë mbi vete, teksa u ka folur lojtarëve menjëherë pas humbjes.

“Djem, dua ta mbani kokën lart. Nuk keni gabuar ju, kam gabuar unë. Jam unë fajtori dhe mund të kem gabuar unë. Lojtarët mos m’i godisni. Futbolli është lojë gabimesh dhe duhet ta pranojmë. Nuk mund të kthejmë asgjë pas”, ka thënë Shehi.

Ndoshta i ndikuar nga fytyrat e pezmatuara të lojtarëve ose ndoshta sepse disa prej tyre e kanë përjetuar shumë eliminimin në Europë, Shehi i ka përqafuar futbollistët që kanë gabuar gjatë gjithë këtyre katër takimeve.

Një situatë që normalisht të bën të kuptosh se Shehi mbetet një lojtar dhe trajner i madh, duke i hapur derën një largimi të mundshëm apo hipotezave për dorëheqje.

Gjithsesi, mësohet se presidenti Refik Halili nuk e ka çuar në mend largimin e Orges Shehit. Ama kur bëhet fjalë për Tiranën, gjërat nuk janë gjithmonë siç duken apo thuhen.

Për momentin nuk ka dallgë në breg, por është qetësi, ndonëse furtuna në gotë mund të ngrihet kur të duash… Orges Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”, por jo vetëm kaq. Trajneri i bardhebluve që ka marrë skuadrën prej 27 janarit 2021, ka 555 ditë në krye të kampionëve të Shqipërisë, duke thyer rekordin e Gugash Maganit.

Shehi e drejton Tiranën prej 64 takimesh. Ai ka 36 fitore, 12 barazime dhe 15 humbje. Golavarazhi është 112-59.

Shehi e ka marrë drejtimin e ekipit në fund të janarit 2021 dhe deri tani ka qenë një nga trajnerët më të suksesshëm të bardhebluve, dhe jo vetëm në Superiore, duke risjellë titullin kampion me një mënyrë shumë të lehtë. Ishte merita e Shehit që ndërtoi një ekip të madh që nuk e diskutoi asnjëherë kampionatin.