Elseid Hysaj ka rigjetur formacionin dhe gjithashtu formën ideale. Këtë nuk e thotë menaxheri i tij, por edhe mediat napolitane, që kanë analizuar paraqitjet e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare. Që me ikjen e Mauricio Sarrit nga Napoli, për shqiptarin nisën dyshimet.

Edhe me Ançelotin, në fillim dyshime për largim dhe më pas zgjedhje e fundit në hierarki dhe një periudhë me shumë probleme. Kritika dhe aspak vlerësim.

Mirëpo, me ardhjen e Gatuzos, te Napoli është shfaqur i njëjti futbollist si në fillimet me Sarrin. I qetë, i lumtur te Napoli, me shumë dëshirë në stërvitje dhe i duhuri në fushë. Si për ta treguar këtë, ishte edhe e fundit ndeshje përballë Juventusit.

Kundërshtar kishte një si Kristiano Ronaldo, por Elseid Hysaj bëri paraqitjen që duhet. I vendosur dhe një lojtar që i jep ekipit ekuilibrat e duhur për të dyja fazat e lojës.

Tipike rilindje e një lojtari, që për sa është folur, nuk duhet të ishte më aty, por të largohej që në verë kur Valencia, Roma apo edhe Interi kërkuan shërbimet e tij dhe presidenti De Laurentis refuzoi çdo ofertë.