Besëlidhja fitojnë një ndeshje ndaj Kastriotit, rivalit direkt për Superioren. Trajneri Elvis Plori. Madje, ai krahas ndeshjes së fituar me krutanët, flet edhe për merkaton duke zbuluar edhe bisedat që ka bërë me presidentin. “Është sadisfaksion fitorja me një ekip që je pretendent.

Fituam me Korabin e pastaj me Kastriotin. Ishte një kënaqësi e madhe ajo fitore, sepse jemi shumë afër rivalit tashmë, pasi ishte Korabi para ndeshjes mbi ne. Është një ngritje morale për skuadrën sepse kemi marrë gjashtë pikë radhazi, dhe të mos harrojmë morëm pikë në Krujë në fazën e parë”.

Analiza

“Kam eksperiencë në këto ndeshje, lojtarët patën tension. Natyrisht që na ndihmoi edhe dalja me të kuqe e portierit mik, sepse dihet që Kastrioti ka kualitete dhe Hajdari një lojtar me eksperiencë na ndihmoi shumë që të fitonim në një ndeshje si kjo me krutanët që janë rivalët tanë kryesore për Superioren.

Skuadra ka bërë një nga ndeshjet më të dobëta. Na çaloi mesfusha dhe skuadra mike i kishte marrë masat mjaft mirë. Hepaj që është lojtari kryesor në mesfushë nuk doli aty ku doja. Agresiviteti i ekipit mik dhe dëshira e tyre për ta fituar ndeshjen, bëri që skuadra të rrinte pak mbrapa. Mendova se skuadra duhet që të reagojë”.

Merkato

Lidhur me afrimet q mund të bëjë skuadra në janar, trajneri shkodran i lezhjanëve ka pohuar se janë të nevojshme, madje në ofensivë duhet ndërhyrje urgjente. “Po flasim me presidentin dhe po mendojmë që të afrojmë disa lojtarë cilësorë. Na mungon një lojtar zone, apo sulmues goli. Na duhet një lojtar që ka forcë dhe autoritet për të qenë më solidë dhe më të fortë në pjesën e dytë të sezonit”.

Kartoni i kuq

Plori ka folur edhe për momentin e daljes me të kuqe të Selacit që është kontestuar gjatë nga krutanët, gjatë dhe në fund të ndeshjes.“Unë e thash që portieri i tyre kur doli nga loja, sigurisht që na ndihmoi, por ama në gjykimin tim, me qetësi, tashmë që ndeshja ka përfunduar është faull.

Mendoj se gjyqtari ka vepruar drejt, sepse kemi një ndërhyrje të rëndë jashtë zone të portierit krutan. Ashtu sikurse edhe penalltia për ne është sepse është faull në zonë”, – tha Elvis Plori, trajneri i skuadrës së Besëlidhjes në fund të prononcimit të tij./Vipsport/