Peshëngritësi 16 vjeçar shkodran Emanuel Lushi është renditur i shtati në 22 pjesmarrës në Grand Prix të Azerbajxhanit. Gara është zhvilluar ditën e sotme dhe mund të konsiderohet një paraqitje shumë e mirë për të. Kjo ngaqë siç mësohet gara nuk ka qenë për 17 vjeçarët në vete dhe për 20 vjeçarët në vete. Ka qenë një garë e përbashkët për të gjithë sportistët e kësaj peshe dhe Lushi kësisoj ka qenë më i vogli duke patur një diferencë të dukshme moshe me të tjerët. Megjithatë kjo nuk e ka penguar atë që të ngrejë 112 kg në shkëputje dhe 132 kg në shtytje duke përmirësuar kështu ndjeshëm rezultatet e tij të arritura në Kampionatin Europian të 17 vjeçarëve pak muaj më parë ku u rendit i treti në kontinent.

Këtë herë ai ka arritur të ngrejë plot 7 kg më shumë, çka tregon edhe për progresin e tij të madh. Peshëngritësi shkodran është shoqëruar në këtë garë edhe nga trajneri Muhamet Tuzi dhe natyrisht që rritja e rezultateve është edhe meritë e tij. Nesër ndërkohë është rradha e peshëngritësit tjetër shqiptar, Alban Hoxha për të konkurruar në peshën 69 kg.
© shkodrasport.com

 

 

Trajneri Muhamet Tuzi ne Azerbajxhan me dy sportistet, Alban Hoxhen dhe Emanuel Lushin.