Vllaznia ka mbyllur një sezon të gjatë e të lodhshëm përmes emocionesh të pafund të përjetuara në ndeshjen e fundit të tij, atë me Tiranën. Në Shkodër të gjithë i janë gëzuar qëndrimit në Superligë por në fakt, festa duhej të ishte ndryshe. Së paku, për t’iu gëzuar vendit të katërt në renditje, vend të cilin e kanë patur plotësisht të mundshëm për ta arritur. Kjo nuk ndodhi dhe arsyet janë të shumta por në rradhët e drejtuesve është e qartë se diçka ka ndodhur. E ka thënë sërish trajneri Cungu pas ndeshjes së fundit:
“Erdhëm në këtë situatë sepse në ndeshjet e fundit futbollistë të caktuar të Vllaznisë janë tallur me këtë skuadër, janë tallur me djersën e shokëve të ekipit dhe me fanellën që kanë mbajtur të veshur”. Po kaq e ashpër ka qenë edhe presidentja e klubit.Kryebashkiakja Ademi në mesazhin e saj të pasndeshjes, ndër të tjera ka thënë: “Neglizhenca e ndokujt në disa ndeshje na bëri të vëmë në pikëpytje qëndrimin në kategori e na largoi nga Europa që këtë vit e meritonim. Sigurisht që në ditët në vazhdim, duhet të bëhet një analizë e plotë”. Pyetja që lind normalisht është se cilët janë këto futbollistë që “janë tallur” dhe kanë “neglizhuar”? Dy prej tyre, nuk kanë qenë pjesë e ekipit në ndeshjet e fundit, pikërisht dy malazezët Cicmil e Agoviç. Por a janë ata të vetmit? Gjasat janë që jo sepse mendohet të ketë edhe të tjerë dhe ndonëse për momentin nuk janë zbuluar emra, ato do të mësohen në ditët në vazhdim. Mosrinovimi i kontratave me ta do të jetë treguesi më i mirë për këtë gjë, për të ditur se cilët janë futbollistët që nuk e lanë Vllazninë të luftonte deri në fund për vendin e katërt dhe të qëndronte me ankthin e shpëtimit nga rënia deri në minutën e fundit të kampionatit.