Sulmuesi shkodran, Erald Çinari, nuk është më pjesë e Partizanit. 24-vjeçari është lojtari më i ri i Samsunsporit. Klubi i Ligës së Parë turke ka zyrtarizuar gjithçka në faqet zyrtare të klubit, teksa shkodrani ka firmosur një kontratë për 3+1 vite, ku do të përfitojë plot 500 mijë euro.

MESAZHI – Pas zyrtarizimit te klubi turk, Çinari falënderoi të gjithë familjen Partizani, duke shkruar: “Sot ishte një ditë që solli një kapitull të ri në karrierën time futbollistike. Nga dita e sotme, unë nuk do jem më pjesë e klubit të futbollit Partizani. Kontrata ime me klubin përfundoi në fund të këtij sezoni dhe unë tashmë jam duke përgatitur një aventurë të re.

Falënderoj të gjithë në familjen Partizani, duke filluar nga presidenti dhe drejtori, që më kanë qëndruar afër si në momente pozitive e po ashtu negative, trajnerët me të cilët kam punuar këto 3 vite. E po ashtu shokët e skuadrës, si edhe gjithë stafin që punon te kjo familje. Një falënderim special shkon për tifozët e kuq e sidomos ‘Ultras Guerrils’. Ishin 3 vite të mrekullueshme ku edhe fitova trofe”, shkroi Çinari.

PRAPASKENAT – “Panorama Sport” zbuloi pak ditë më parë se bomberi shkodran kishte disa ditë që kishte firmosur për ekipin turk. Rregullat e FIFA-s dhe të UEFA-s i lejojnë futbollistët mbi 23 vjeç dhe që kanë më pak se 6 muaj kontratë të firmosin parakontrata me klube të tjera dhe pikërisht këtë gjë bëri edhe Çinari, duke zbarkuar në Turqi.

Te Partizani nuk u ka lënë një shije të mirë ky vendim i Çinarit, pasi sipas tyre, lojtari fillimisht duhet të kishte biseduar me klubin për një rinovim e më pas të vendosnin edhe për të ardhmen.

Por, Çinari vendosi të provojë aventurën e shumëpritur jashtë Shqipërisë dhe një ish te një marrëveshje që i interesonte dhe nga ana ekonomike. 24-vjeçari tashmë do të vazhdojë karrierën e tij në Ligën e Dytë turke dhe ekipi i Samsunsporit është një ndër favoritet për t’iu bashkuar elitës sezonin e ardhshëm