Mbrojtësi shkodran Ergi Borshi nuk do të jetë më pjesë e Teutës së Durrësit. Ai e ka mbyllur marrëveshjen që ka patur me drejtuesit e saj dhe për momentin është një futbollist i lirë. Lajmin e ndërprerjes së kontratës me durrsakët e ka bërë të ditur vetë lojtari për “Shkodra Sport” kur ka thënë: “Po është e vërtetë se nuk do të jem më pjesë e Teutës.

Aktualisht ndodhem në Maltë për disa ditë pushimi dhe sapo të kthehem do të vendos për të ardhmen time sepse jam në bisedime me disa skuadra por ende nuk e kam të qartë se ku do të luaj”. 21 vjeçari në fakt e nisi mjaft mirë sezonin e fundit kur në krye të Teutës ishte trajneri italian i cili vlerësohet aftësitë e tij si futbollist, por më pas, me kalimin e javëve dhe ardhjen e Maganit në krye të skuadrës, gjërat ndryshuan dhe për të ka patur shumë pak hapësira. Fakti që peqinasi është rikonfirmuar sërish si trajner i durrsakëve, ka bërë që Borshi të mendojë për të gjetur një skuadër tjetër dhe kështu po vepron. Nuk përjashtohet mundësia që të rikthehet edhe tek Vllaznia megjithatë ai do të shohë zgjedhjen më të mirë të mundshme.
© shkodrasport.com