Erkand Qerimaj, i cili vinte pas përfundimit të pezullimit për përdorimin e substancave të ndaluara, tregoi karakterin e vërtetë duke ngritur plot 349 kg në dygarësh e duke u shpallur kampion Europe. Jo vetëm kaq, por djaloshi shkodran u shpall kampion Europe edhe në stilin e shtytjes. Ai ngriti në shkëputje 155 kg duke marrë medalje bronzi, por shfaqi më të mirën në stilin e preferuar, atë të shtytjes, që ishte një leksion i vërtetë për kundërshtarët. Në tri prova, Qerimaj kaloi me sukses, 188, 193 dhe 194 kg dhe çuditërisht rivali i tij për fronin ishte sportisti tjetër shqiptar, Daniel Godelli.

Me Qerimajn që mori dy medalje ari dhe një bronzi, Shqipëria pasuron arkivin me të tjera medalje, pasi edhe Godelli ishte në formën më të mirë. Ky i fundit nderoi shtangën shqiptare duke marrë 3 medalje argjendi, që do të thotë tri herë nënkampion, në stilin e shkëputjes, ku ngriti 157 kg, atë të shtytjes ku kaloi 192 kg, ndërsa në total e mbylli me 349 kg, që do të thotë se humbi titullin vetëm për çështje peshe. Madje edhe kjo e fundit është një surprizë e jashtëzakonshme, duke qenë se Qerimaj fitoi për vetëm 20 gramë më pak peshë sesa Godelli. Kaq pak ka mjaftuar që shkodrani të fitojë të artën si dhe 20 milionë lekë më shumë sesa kolegu i tij (parà këto që vijnë nga fitimi i medaljeve. 40 milionë lekë përfiton ai që merr medaljen e artë, 20 e argjendta dhe 5 e bronzta). Si kurrë më parë Shqipëria nuk është ndier kaq e pushtetshme në peshëngritje në Europë, dhe merita kryesore shkon për dy heronjtë tanë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli.

© shkodrasport.com