Opinion nga ENKELEIDA ZEKO

Eshtë e vërtetë që qytetet e Shqipërisë jetojnë me futbollin dhe këtë e ndien më shumë kur e prek nga afër çdo emocion apo problem të tyre. E sidomos më të ndjeshme janë ato qytete, që sportin e kanë gjenetik dhe traditë.

Këtë javë isha në Shkodër, në emisionin e kolegut Gaspër Marku, “Sport Show” dhe ndjeva se çfarë ushqimi shpirtëror është sporti për shkodranët. Veç shqetësimit për Vllazninë e lavdishme dhe mbijetesën e saj, u diskutua edhe Vllaznia U-19, ajo e basketbollit dhe e peshëngritjes, që me Erkand Qerimajn na bëri krenarë në çdo qelizë. Por, në gjithë ato diskutime me temë shkodrane, më bëri përshtypje shqetësimi i një trajneri të ri dhe pasionant si Luan Zmijani, që drejton skuadrën e 19-vjeçarëve në Shkodër, madje edhe kryeson kampionatin me 57 pikë, 11 më shumë se Partizani i vendit të dytë dhe 15 më shumë se Shkëndija T. e vendit të tretë. Me siguri që është kampion me këtë skuadër, edhe pse ai për asnjë çast nuk e pranoi. Deri këtu, çdo gjë është mrekulli për shkodranët, por kur mëson se Kombëtarja U-19 po zhvillon një zbor stërvitor në Greqi dhe nga Vllaznia që kryeson kampionatin, në këtë grumbullim është vetëm një lojtar, atëherë të vijnë shumë mendime në kokë. Nga 22 lojtarë të grumbulluar nga trajneri Foto Strakosha, 9 janë marrë nga kampionate të vendeve të ndryshme, sidomos nga Greqia, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Ata që mbeten pra, 13 lojtarë, janë nga kampionati ynë i U-19, ku ajo që do të nënvizonim, është se 3 lojtarë janë marrë nga skuadra e Teutës, që është në vendin e 14-të në kampionat dhe gati për të rënë nga Kategoria, 2 janë marrë nga “Olimpik”, që është në vendin e 5-të e pastaj nga Tirana, Elbasani i vendit të parafundit, Kukësi, Laçi dhe Besa. Por vetëm një futbollist nga Vllaznia. Nuk dua aspak të bëj paragjykuesen, por pyetja më e thjeshtë që më lind si gazetare është: Vërtet Vllaznia e vendit të parë me 11 pikë diferencë nuk ka lojtarë të talentuar për në ekipin kombëtar? Vërtet këto skuadra që munden nga Vllaznia dhe rrezikojnë kategorinë kanë në përbërjen e tyre elementë më të mirë për ngjyrat kuqezi? Nuk di të jap një përgjigje, por as të gjykoj zgjedhjen e trajnerit Strakosha, që nuk dua të besoj se është tendencioze. Kërkojmë vetëm që kjo skuadër të shihet më me vëmendje dhe këta djem të rinj, që janë e ardhmja e futbollit tonë, të mos demoralizohen nga ndonjë zgjedhje e gabuar, qoftë edhe pa qëllim të keq. Për çdo sportist, në çfarëdo kategori moshash ku luan, ëndrra është ekipi kombëtar dhe, megjithëse përzgjedhja është e drejtë ekskluzive e trajnerit (pa ndërhyrë aspak në të), kjo nuk duhet të rëndojë mbi askënd që ëndërron të veshë fanellën kuqezi. Shkodra është djepi i futbollit tonë, ka prodhuar talente, që sot militojnë në kampionate të ndryshme europiane me shumë sukses dhe na bëjnë krenarë kur veshin ngjyrat e flamurit tonë. Le të ketë edhe brezi i ri një ëndërr të tillë. Mos e prisni rrugën e këtyre të rinjve, jepuni mbështetje dhe shpresë, sepse e meritojnë. Këtë e tregojnë shumë faktorë në Shkodër, jo vetëm ekzistenca e 4 akademive të futbollit, të cilët çdo ditë merren me stërvitjen e këtyre talenteve të së ardhmes, që duan përkrahje dhe stimuj për të ecur përpara. Nuk duhet të harrojmë se toka ku ka mbirë bima, duhet vetëm të ujitet për të dalë një filiz i ri dhe në Shkodër këtë e bëjnë me shumë dashuri. Prandaj Strakosha, mos e harro Vllazninë…