Mbrojtësi Esin Hakaj i ka habitur të gjithë në ndeshjen e djeshme ndaj Skënderbeut. Ai ka arritur të shënojë golin e tij të parë me fanellën e Vllaznisë në këtë sezon futbollistik.

Shkodrani luajti si titullar, ashtu si në çdo ndeshje tjetër dhe arriti t’i jepte 3 pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Në fitoren 1-0 që, skuadra e tij arriti në shtëpi ndaj Skënderbeut, shkodrani shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Në fakt, Hakaj nuk njihet për golat e tij, pasi nuk është një mbrojtës që shquhet për golat e shënuar. 26-vjeçari dërgoi topin në rrjetë në minutën e 59′, duke i dhuruar avantazhin vendasve të Vllaznisë.

Kjo ishte ndeshja e 30-të e mbrojtësit shkodran me Vllazninë këtë sezon në Abissnet Superiore. Në të 29-të sfidat, shkodrani ka qenë në formacion nga minuta e parë, ndërsa një ndeshje është aktivizuar nga stoli, për shkak të një dëmtimi.

Lojtari shkodran pati një sezon mjaft të vrullshëm vjet me Partizanin, prandaj edhe drejtuesit e Vllaznisë e sollën këtë sezon në Shkodër, duke përfituar edhe nga problemet që kishte në transferimin e tij në Turqi, më pas.
Maringlen ZHIVANI