Kampionati i Kategorisë së Dytë ka luajtur ditën e djeshme ndeshjet e fazës së fundit të tij dhe si rrjedhojë të gjithë ekipet, kanë dashur t’i bëjnë një mbyllje, ashtu si duhet atyre.

Kështu, pasditën e djeshme, në Shënkoll është zhvilluar një ndeshje shumë interesante, ajo në mes ekipit të Shënkollit dhe Murlanit.“Derbi” i të dy ekipeve veriore ka dhuruar emocione, garë dhe rivalitet të fortë nga minuta e parë dhe deri në fund.

Në fillim, ka qenë Murlani, që ka kaluar i pari në avantazh, me anë të Djepaxhisë, më konkretisht në minutën e 21-të. Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 0-1, në favor të Murlanit.

Në të dytën, është sërish Murlani më kërkues dhe madje ka edhe mundësi të shënojë sërish, teksa një gjë të tillë e bën në minutën e 68-të, ku Kaçubela dërgon topin në rrjetë për ekipin e tij, duke i dërguar shifrat në 0-2 në favor të Murlanit.

Më pas, në minutën e 76-të, pas një neglizhencë të mbrojtjes së Shënkollit për të larguar topin, do të vinte edhe goli i tretë për Murlanin, me autor Mballanin.

Megjithatë, goli i fundit i kësaj ndeshje do të vinte nga Shënkolli, që shënon me anë të Lleshit, në minutën e 83-të. Kështu, gjithçka mbyllet këtu, me fitoren e Murlanit në shifrat 1-3.

Ajo që duhet thënë është se futbolli në Shkodër ka fituar së fundmi një ekip shumë interesant, siç është Murlani, që natyrisht do të dhurojë emocione edhe në të ardhmen.

Pas kësaj fitoreje të fundit për këtë kampionat, Murlani renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 35 pikë, duke siguruar kështu fazën e play-off.
Maringlen ZHIVANI