Paraqitjet e mira të bëra në dy edicionet e fundit të Ligës së Kampioneve, kanë bërë që Vllaznia e futbollit të femrave të ngjitet shumë vende lart në renditjen e UEFA-s.

Kjo gjë tashmë e favorizon jo pak atë për edicionin e ardhshëm të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian sepse tashmë ajo është e pozicionuar në vazon e dytë në prag të hedhjes së shortit për edicionin e ardhshëm, atë 2019- 2020.

Ky I fundit do të hidhet më datë 21 qershor dhe tashmë shpresat janë më të mëdha për kualifikim. Ngjitja në vazon e dytë të renditjes, do të thotë se praktikisht Vllaznia do të ketë vetëm një skuadër më të fortë se vetja në grup, ndërsa dy të tjerat do të jenë me koefiçent më të vogël dhe praktikisht të kalueshme.

Renditja në vazon e dytë padyshim që është sukses sepse kujtojmë që kampionia e Kosovës- Mitrovica, është e pozicionuar në vazon e katërt. Por drejtuesit e ekipit shkodran përveçse I janë gëzuar këtij lajmi, janë në pritje të shortit, për të mësuar emrat e tre ekipeve kundërshtare me të cilat do të ndeshet gjatë muajit gusht.

Menjëherë pasi të mësojnë kundërshtarët, presidenti Lazer Matija dhe stafi I tij do të angazhohen në merkato për ta forcuar ekipin me lojtare të tjera cilësore sepse objektivi është I qartë: Për të synuar me çdo kusht kalimin e turit të parë.

Në fakt, specifika e Ligës së Kampioneve të Europës për femrave është ndryshe nga femrat dhe për të kaluar turin e parë, është njëlloj si të kalosh tre ture në kompeticionin e meshkujve. Vllaznia në dy vitet e fundit I ka fituar nga dy ndeshje, por sërish nuk I kanë mjaftuar për të kaluar grupin. Prandaj dhe sivjet I duhet të përgatitet për t’I fituar të tre takimet sepse vetëm kështu mund të kualifikohet.
© shkodrasport.com