Tjetër titull kampion për Vllazninë në atletikë për meshkuj. Titulli i fituar sot në Shkodër ka qenë i 11-ti rradhazi për ekipin shkodran duke treguar më së miri për dominimin absolut të këtij ekipi në atletikën shqiptare.

Edhe në garat e ditës së dytë të zhvilluara pasditen e sotme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” kanë spikatur atletët shkodranë të cilët kanë dominuar edhe në disa disiplina të tjera përveç atyre të djeshmeve.

Kështu, në garat e sotme Franko Burraj ka triumfuar edhe në garën e 200 metra duke u shpallur edhe aty kampion. Edhe Ravio Rama ka zene vendin e pare dhe eshte shpall kampion ne garen e 110 metrave me pengese ashtu si dhe Besmir Pepaj ne garen e hedhjes se shtizes.

Ndërkohë në stafetën 4x 400 metra, Vllaznia ka zënë vendin e parë duke patur në përbërërje sportistët Franko Burraj, Daniel Guri, Igli Shqarri dhe Lulzim Çangeli.

Vllaznia në këtë mënyrë me 201 pikë të grumbulluara është shpallur kampione e Shqipërisë duke qenë e shkëputur ndjeshëm nga Tirana e vendit të dytë dhe Skënderbeu i vendit të tretë. Ky është titulli i 11-të rradhazi për këtë ekip që vazhdon të dominojë në atletikën shqiptare, falë përkushtimit të sportistëve por edhe punës së palodhur të trajnerëve Albert Marashi, Vildan Tufi, Bruno Rrotani, Fatjon Serhati dhe Dorian Tafa.

Ndërkohë edhe ekipi i femrave po rritet në cilësi dhe në përfundim të kampionatit është renditur në vendin e tretë pas Tiranës që u shpall kampion dhe Skënderbeut të vendit të dytë.
© shkodrasport.com