Dita e zgjedhjeve të përgjithshme në Federatën Shqiptare të Futbollit po afron. Ato siç dihet do të zhvillohen më datë 28 shkurt. Ndërkohë, dita e djeshme ka qenë e fundit për pranimin e kandidaturave për postin e presidentit të ardhshëm të këtij institucioni si dhe të anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv. Siç merret vesh, Shkodra ka të propozuar për këto poste, vetëm një kandidaturë. Bëhet fjalë për Fatbardh Jerën. Atë e ka propozuar për anëtar të KE-së klubi i futbollit Ada. Të tjerë shkodranë nuk ka. Edhe Pjerin Fushaj, anëtari aktual i këtij Komiteti nuk do kandidojë më. Emri i tij në fakt u përfol si kandidaturë për postin e presidentit, por duket se është tërhequr përfundimisht. Në këtë mënyrë, tashmë duhet të shohim nëse Jera do jetë apo jo në postet e larta drejtuese të FSHF-së. Kujtojmë se të drejtën e votës e kanë klubet e Vllaznisë, Adës, Veleçikut, Tërbunit e po ashtu, një votë ka edhe Liga Rajonale, Zona e Shkodrës. Siç merret vesh emrat e propozuar për Komitetin Ekzekutiv janë: Lutfi Nuri, Artan Hajdari, Bujar Kasmi, Arben Dervishi, Abdyl Kuriu, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Bardhyl Minxhozi, Tahir Kastrati, Vasil Bici, Artan Shyti, Sulejman Mema, Ramadan Shehu, Fatbardh Jera, Enkeled Alibeaj, Edvin Libohova dhe Artan Sallaku.
© shkodrasport.com