Skënder Gega është trajner i Kukësit, i cili ka marrë drejtimin e klubit verilindor për sezonin e ardhshëm. Trajneri tropojan po zhvillon fazën përgatitore në prag të edicionit të ri, që nis më 20 gusht përballë Tiranës.

Në intervistën e mëposhtme, Gega ka folur për eksperiencën e fundit te Skënderbeu duke e cilësuar si të mirë dhe pse të hidhur. Më pas ai ka prekur temën e grupit të lojtarëve, pasi skuadra ka ndryshuar.

Në fund Gega e mbyll me merkaton dhe lojtarë që pritet të merren në organikë, ndërsa tregon se mendon për ndeshjen e parë kundër Tiranës. Më poshtë mund të lexoni çfarë u tha gjatë intervistës.

Fjala e Skënder Gegës për mikrofonin e “Top Channel”:

E kam shijuar dhe sfidën te Skënderbeu. Çdo trajner që shkon në çdo vend, pavarësisht klasifikimit apo problematikat duhet të japë maksimumin. Ka qenë eksperiencë e mirë, pavarësisht se e hidhur. Kukësi është sfidë e re që dihen që në start pretendimet. Nuk ka sekrete, ne jemi pretendentë.

Lojtarë të ndryshuar? Nuk besoj se është gjë që të ndihmon. Shpesh herë largohen sepse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, megjithatë do ishte mirë të kishte grup që ka kohë që luajnë bashkë, por kjo është sfida.

Merkato? Kemi pas dhe refuzime, jo për shkakun tonë, por për kërkesat e tyre. Po bëjmë më të mirën, nuk jemi plotësuar. Kemi kërkesa për të ardhur, po mundohemi të marrim më të mirën, të mos investojmë te lojtarë që do rrinë në stol.

Si fillon sezoni, me objektiv titullin kampion apo zona europiane? Them t’i marrim 1 nga 1. Ndeshja e parë është me Tiranën, ekip kampion, ka bërë mirë, nuk i kanë marr asnjërit asgjë. Kanë pasur periudhat e Kupave të Europës, uljet-ngritjet, por mendoj se është ekip me vlerë dhe kualitet. Mundohemi që ndeshjen e parë të jemi solid dhe 100%. Ky është hapi i parë dhe çfarë mendoj, nuk mendoj për më vonë.