Dje në Tiranë është mbajtur Asambleja Vjetore e Federatës Shqiptare të Atletikës. Drejtuesit e kësaj Federate kanë analizuar punën e bërë dhe aktivitetet e zhvilluar gjatë gjithë vitit që po lëmë pas, dhe në këtë analizë nuk ka patur sesi të mos lavdërohet puna e bërë nga atletët shkodranë dhe trajnerët e tyre. Presidenti Gjergj Ruli ka vlerësuar trajnerët e klubit shumësportësh Vllaznia Albert Marashi, Isak Bala e Vildan Tufi. Ka evidentuar sportistët e rinj të Vllaznisë si Elton tula, Izmir Smajlaj, Mario Shestani e Bajram Muça, ndërkohë që është vlerësuar së tepërmi edhe sportisti Ardit Rrashi për rezultatet e arritura. Në këtë mënyrë, atletika shkodrane ka qenë kryefjala e lëvdatave të drejtuesve të Federatës për punën e bërë dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2011. Po ashtu, është vlerësuar shumë edhe fakti se gjatë vitit të ardhshëm edhe Shkodra mund të bëhet me pistë tartani dhe ky është një tjetër lajm shumë i mirë që mbërrin për atletikën shkodrane.