Drejtuesit e Adës së Velipojës mendojnë se deri tani kanë bërë një sezon të mbarë dhe se skuadra gjëndet brenda objektivave të fillim sezonit. Ai që flet për ecurinë e deritanishme të Adës është sulmuesi Etrit Nika që njëkohësisht mban edhe rolin e zëvendëstrajnerit tek Ada. Sipas tij ekipi bregdetar deri tani ka bërë futbollin më të pastër në Kategorinë e Parë. “Mendoj se deri tani nga ato çfarë ka ofruar Kategoria e Parë them se Ada ka bërë futbollin më të pastër. Kemi luajtur qetë dhe çdo herë të përmbajtur. Duhet të kujtojmë se deri tani në këtë Kampionat Ada nga të gjitha ndeshjet që ka zhvilluar si brenda fushe ashtu edhe jashtë saj, nuk është kontestuar asnjëherë. Natyrisht që kjo gjë na ngroh neve si ekip. Madje duhet të them se Ada vetëm është ndëshkuar në takimet e luajtura të këtij sezoni. Po të sjellim në mendje barazimet me Besën e Kukësin brenda fushës tonë, kemi merituar më shumë por arbitrat nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Po ashtu edhe në transfertë penalltia me Besëlidhjen ishte një penallti fantazëm që u akordua kundra nesh” – thotë sulmuesi Nika. Po ashtu i vetmi futbollist nga Velipoja i Adës flet edhe për sfidën e radhës atë me Luftëtarin e vendit të parë. “Pamëdyshje ju them se do të jetë një luftë e vërtetë, por ama vetëm luftë sportive dhe asgjë më shumë. Nga kjo luftë gjithnjë sportive ju siguroj se Adën e kënaq vetëm fitorja dhe për këtë do të bëjmë maksimumin që t’ia arrijmë qëllimit pavarësisht shkallës së vështirësisë, nuk trembemi se përballë kemi ekipin kryesues” – përfundon sulmuesi i Adës Etrit Nika.