Futbolli i femrave nuk do ta nisë vitin me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë si çdo vit tjetër, pasi Federata ka menduar për një organizim tjetër. Ajo ka planifikuar të organizojë një kupë tjetër, pikërisht në minifutboll me pjesmarrjen e tetë prej ekipeve më të mira të vendit.

Ideja është që këto tetë skuadra të ndahen në dy grupe me nga 4 ekipe dhe njëri nga grupet t’i zhvillojë ndeshjet në Shkodër ngaqë në këtë qytet janë edhe tre prej ekipeve pjesmarrëse dhe atyre t’u shtohet edhe një ekip i kryeqytetit.

Dy skuadrat më të mirë të grupeve ndërkohë do të kalojnë në turin final ndeshjet e të cilit do të zhvillohen më pas në pas në një qytet që do të vendoset nga institucioni i futbollit shqiptar. Kuptohet që pretendenti kryesor për fitimin edhe të këtij trofeu është Vllaznia, megjithatë pritet që të ketë rivalitet edhe nga ekipet e tjera.

Menjëherë pas përfundimit të kupës së minifutbollit do të nisë faza e dytë e kampionatit, në të cilën siç dihet Vllaznia udhëheq me 5 pikë diferencë ndaj Apolonisë së vendit të dytë. Ndërkohë trofeu i Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet këtë vit në fund të kampionatit.

Federata po shton gjithnjë e më shumë vëmendjen ndaj futbollit të femrave dhe padyshim që pritet edhe rritja e cilësisë. Megjithatë vetëm Vllaznia duket se është në lartësinë e duhur falë investimeve që presidenti Matija bën prej vitesh ndërkohë që ekipet e tjera shfaqin oshilacione të mëdha në këtë drejtim.
www.shkodrasport.com