E ka kaluar me sukses pengesën e parë në Kupë edhe Vllaznia U19. Pasditen e sotme ajo ka mundur me rezultatin 4-2 ekipin e Besës së Kavajës në ndeshjen e luajtur në Kamëz.

Kuqeblutë kanë zhvilluar një një ndeshje të mirë dhe si rrjedhojë tashmë e shohin veten të kualifikuar për në turin tjetër të këtij kompeticioni.

Ka qenë mesfushori Arjet Bizi ai që ka shënuar golin e parë për ekipin shkodran në minutën e 18-të ndërkohë që Muzhaqi do të barazonte për kavajasit 15 minuta më vonë.

Megjithatë shkodranët nuk pajtohen me barazimin dhe një minutë më vonë është Angjelo Radovani që do të kalonte në avantazh ekipin e tij ndërsa në minutën e fundit të pjesës së parë, kanë fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nga Eraldo Deda. Pjesa e parë është mbyllur kësisoj 3-1.

Në fillimin e së dytës do të ishte sërish sulmuesi Radovani që do të shënonte edhe golin e katërt dhe të dytin personal në këtë takim, duke vulosuar edhe fitoren e Vllaznia U19.

Pak minuta më vonë, Lila ka shënuar për Besën golin e dytë por vetëm kaq sepse ndeshja nuk do të kishte më histori dhe Vllaznia U19 fiton 4-2 duke siguruar kësisoj kualifikimin për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
© shkodrasport.com