U mendua se do të ishte ndryshe, por ndeshja e parë e kampionatit në mes Partizanit dhe Vllaznisë në volejboll për femra, nuk ka rezultuar si një sfidë rivalesh. Takimi i parë për këto dy ekipe është luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit dhe është fituar nga vendaset me rezultatin 3-1. Ekipi shkodran, pavarësisht pretendimeve që ka deklaruar, pasditën e sotme ka treguar tjetër gjë në ndeshjen ndaj Partizanit, duke mos arritur dot të shfaqë vlerat e tij të vërteta.

Fillimi i setit të parë është i ekuilibruar disi, por Vllaznia shkëputet duke kryesuar dhe në fund e fiton atë me shifrat 22-25. Megjithatë, vetëm kaq, pasi në tre setet e ardhshme, ekipi shkodran tregon që nuk është në ditën e tij më të mirë dhe Partizani i fiton që të tre setet.

Setet në vazhdim, Vllaznia ka pasur defekte në pritjen e topit të parë, por edhe në sulm, teksa vendaset e shfrytëzuan një gjë të tillë dhe e fituan setin e dytë me shifrat 25-18. Në dy setet e tjera, Vllaznia nuk bën asgjë dhe i humb ato me shifrat 25-16 dhe 25-22 dhe kështu edhe krejt ndeshjen, 3-1.

Tashmë, ekipit shkodran në volejboll për femra nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të provojë të rregullojë ato defekte që tregoi në fushën e lojës në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, në mënyrë që të fitojnë në ndeshjen e rradhës.

Ndërkohë, me të njëjtin rezultat, 3-1, është mundur edhe Vllaznia në volejboll për meshkuj po ndaj Partizanit. Ekipi shkodran nuk ia ka dalë në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, teksa është mundur në transfertë nga të kuqtë e kryeqytetit.

Ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, menjëherë pas ndeshjes së femrave, është dominuar pothuajse tërësisht nga skuadra vendase. Megjithatë, skuadra e Vllaznisë e ka nisur më mirë dhe ka arritur të udhëheqë dhe të fitojë në setin e parë me rezultatin e ngushtë, 23-25, por vetëm kaq.

Në setin e dytë, Partizani hedh hapin e parë drejt fitores së ndeshjes, teksa arrin të kryesojë me shifrat 25-15 në këtë set. Kjo fitore përforcohet edhe me setin e tretë, i cili është i gjithi për skuadrën e kuqe, duke fituar me rezultatin 25-18.

Ndërkohë, në setin e katërt dhe të fundit, duket se ka një lëvizje për mirë në rradhët e skuadrës kuqeblu, e cila është më rivalizuese dhe poashtu edhe më kërkuese për ta marrë këtë set dhe pse jo, të tentojë për të kthyer ndeshjen. Megjithatë, kjo zgjat deri në pikën e 21-të, sepse më pas Partizani nuk fal në pikët vendimtare, duke e mbyllur këtë set me fitore, 25-21 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.
Maringlen ZHIVANI