Pogradeci i trajnerit shkodran Samuel Nikaj, do të fillojë ditën e nesërme sezonin e ri në kampionat dhe ata kërkojnë ta nisin patjetër me fitore. Liqenorët i kanë dhënë ditën e sotme dorën e fundit përgatitjeve dhe sipas trajnerit shkodran Nikaj, janë gati për Devollin, kundërshtarin e javës së parë, të cilin e presin në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në qytetin e Pogradecit.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, trajneri Nikaj është i bindur se skuadra do ta shpërblejë punën e tij gjatë kësaj periudhe, duke e nisur me një fitore dhe me lojë të bukur. Poashtu, ai e ka të qartë se në Kategorinë e Dytë e pret një “malore” e fortë, por si gjithmonë kudo ku ai ka punuar, ka kurorëzuar suksese nga më të ndryshme, teksa ndër të tjera na tregon projektin e tij që ka në Pogradec.

Ndeshja e parë ka presion për të gjithë dhe kështu mendon edhe tekniku, duke e ditur rëndësinë e ndeshjes ndaj Devollit. Për “Shkodra Sport”, Nikaj u shpreh se e ka përgatitur ekipin e tij maksimalisht gjatë kësaj periudhe që ka qenë në krye të Pogradecit, ndërsa theksoi se skuadra që ai drejton do të bëjë diferencën në kampionatin e Kategorisë së Dytë.

“Gjithmonë, ndeshja e parë ka presion, por ne jemi përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses. Kemi futbollistë të përvojës që besoj se mund të bëjnë diferencën në kampionatin e Kategorisë së Dytë.

Realisht, kam patur përvoja të ndryshme gjatë karrierës dhe gjithmonë më kanë pëlqyer aventurat dhe eksplorimi i sa më shumë qyteteve dhe kulturave të ndryshme, pasi edhe pasioni im për sportin dhe histori-gjeografinë po shkon sinkron dhe prandaj ofertën e Pogradecit, e prita me kënaqësi dhe po kaloj shumë mirë.

Në Pogradec kam një mision që është një dhe i vetëm, të kalojmë në Kategorinë e Parë. Realisht, kemi patur afrime dhe shumë cilësore. Eshtë ndërtuar një skuadër e aftë që ta përballojë pa problem kampionatin.

Futbollistët shkodran? Si rrallë herë, futbollistë shkodranë nuk kam, edhe pse kam kontaktuar disa prej tyre, por për arsye të ndryshme, nuk kemi gjetur bashkëpunimin”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI