Chelsea ka fituar 4-3 përballë Manchester United në derbin që u luajt në kuadër të javës së 31-të në Ligën Premier.Pas katër minutash lojë, Conor Gallagher i kaloi Blutë në epërsi, duke ndezur turmën në Stamford Bridge. Në minutën e 19-të, Marc Cucurella fitoi një penallti, nga një ndërhyrje e Antony, të cilën në gol e konvertoi Cole Palmer.

Por, pas këtyre dy golave, Djajtë e Kuq filluan këndelljen, duke shënuar dy gola për pesë minuta. Ishte Alejandro Garnacho, ai që shënoi për 2-1, duke përfituar nga një gabim i Moises Caicedo në minutën e 34-të.

Për 2-2 u përkujdes Bruno Fernandes që u asistua nga Diogo Dalot, e që pjesa e parë përfundoi me këtë rezultat. Chelsea ishte sërish ekip më i mirë në pjesën e dytë, duke arritur të fitojnë takimin në fund të ndeshjes.

Në minutën e 67-të, Garnacho shënoi golin e dytë personal, kur Antony e shërbeu në mënyrë perfekte për 3-2. Por, Blutë nuk u dorëzuan dhe shënuan dy gola në sekondat e fundit të takimit me anë të Cole Palmer (90+10′ dhe 90+11′), që fillimisht realizoi nga penalltia për 3-3, dhe më pas për 4-3.

Pas javës së 31-të, Man United gjendet në vendin e gjashtë me 48 pikë, ndërsa Chelsea në të 10-in me 43 pikë. Në xhiron e 32-të, United do ketë punë me Liverpoolin, ndërsa Blutë me Sheffield United. /Telegrafi/