HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFillon stërvitjen me kurbinasit, te Laçi vjen një mesfushor nga Ukraina

Fillon stërvitjen me kurbinasit, te Laçi vjen një mesfushor nga Ukraina

Laçi po kërkon prej kohësh një mesfushor shkatërrues, pikërisht një numër 6 tipik.

Drejtuesit kanë biseduar prej ditësh me disa emra, por pa arritur të konkludojnë. Dëmtimi i Klinti Qatos dhe largimet e Juljan Shehut dhe Ardit Deliut i prishën planet trajnerit Shpëtim Duro, duke ulur ndjeshëm alternativat në mesfushë.

“Panorama Sport” mëson se që prej së shtunës në stërvitjen e Laçit ka dalë një mesfushor ukrainas, i cili është vendosur menjëherë nën urdhrat e Duros. Bëhet fjalë për 23- vjeçarin Mykyta Peterman, i cili numëron 33 ndeshje në elitën e futbollit ukrainas me klubin e Mariopolit.

Pas nisjes së luftës, Peterman u largua nga vendi i tij dhe në muajt prill-maj të këtij viti luajti pesë ndeshje me klubin e Ligës së Dytë polake, Zaglebie Sosnoviec. Tashmë Peterman kërkon të vijojë aventurën në Shqipëri dhe Laçi është një mundësi e mirë.

Megjithatë, përpara se drejtuesit të ulen në bisedime me lojtarin për kontratën, kanë rënë dakord që ai të stërvitet disa ditë e më pas të merret një vendim përfundimtar.

Nëse Duro jep OK-in pasi të shikojë në stërvitje lojtarin, atëherë gjasat janë që ukrainasi të zyrtarizohet te Laçi.

Fakti që Peterman deri në momentin e ndërprerjes së kampionatit në Ukrainë kishte luajtur 13 ndeshje me Mariopolin në Superligën vendëse sa i përket sezonit 2021-2022, tregon se bëhet fjalë për një lojtar të afirmuar, por që te Laçi, me sa duket, duan të kenë siguri për gjendjen fizike të futbollistit, pasi në pesë muajt e fundit ka luajtur pak./PANORAMA-SPORT/

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments