Laçi po kërkon prej kohësh një mesfushor shkatërrues, pikërisht një numër 6 tipik.

Drejtuesit kanë biseduar prej ditësh me disa emra, por pa arritur të konkludojnë. Dëmtimi i Klinti Qatos dhe largimet e Juljan Shehut dhe Ardit Deliut i prishën planet trajnerit Shpëtim Duro, duke ulur ndjeshëm alternativat në mesfushë.

“Panorama Sport” mëson se që prej së shtunës në stërvitjen e Laçit ka dalë një mesfushor ukrainas, i cili është vendosur menjëherë nën urdhrat e Duros. Bëhet fjalë për 23- vjeçarin Mykyta Peterman, i cili numëron 33 ndeshje në elitën e futbollit ukrainas me klubin e Mariopolit.

Pas nisjes së luftës, Peterman u largua nga vendi i tij dhe në muajt prill-maj të këtij viti luajti pesë ndeshje me klubin e Ligës së Dytë polake, Zaglebie Sosnoviec. Tashmë Peterman kërkon të vijojë aventurën në Shqipëri dhe Laçi është një mundësi e mirë.

Megjithatë, përpara se drejtuesit të ulen në bisedime me lojtarin për kontratën, kanë rënë dakord që ai të stërvitet disa ditë e më pas të merret një vendim përfundimtar.

Nëse Duro jep OK-in pasi të shikojë në stërvitje lojtarin, atëherë gjasat janë që ukrainasi të zyrtarizohet te Laçi.

Fakti që Peterman deri në momentin e ndërprerjes së kampionatit në Ukrainë kishte luajtur 13 ndeshje me Mariopolin në Superligën vendëse sa i përket sezonit 2021-2022, tregon se bëhet fjalë për një lojtar të afirmuar, por që te Laçi, me sa duket, duan të kenë siguri për gjendjen fizike të futbollistit, pasi në pesë muajt e fundit ka luajtur pak./PANORAMA-SPORT/