Boksierët e Kombëtares së Shqipërisë dhe trajneri i këtij ekipi, Zef Gjoni, i kanë dhënë fund përgatitjeve për turneun e boksit profesionist, aktivitet që do të zhvillohet ditën e sotme në ora 20:00, në sheshin para Bashkisë Shkodër.

Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa të ekipit të Vllaznisë dhe Alban Barmeta i Tiranës, janë treshja që do të ngjitet në ring për duelet e boksit profesionist. Ndërkohë që, aktiviteti do të fillojë me tre ndeshje të tjera të nivelit amator.

I pari nga treshja e boksierëve profesionistë që do të ndeshet, është kampioni i Vllaznisë, Arjon Kajoshi, i cili është katër herë kampion kombëtar, fitues i disa turneve brenda dhe jashtë vendit.

Kajoshi do të ketë përballë rivalin e tij nga Bosnja, Vranjes. Kundërshtari i tij boshnjak, është kampion i Bosnjës, si edhe boksieri më teknik i vitit 2020 në kampionatin e Bosnjës, ku në boksin profesionist ka katër ndeshje me rezultate të mira.

Ndërkohë, boksieri tjetër shkodran i Vllaznisë, Nelson Hysa do të ndeshet me një kundështar serbo-boshnjak, teksa thuhet se ai është i një niveli të lartë. Hysa është 16-herë kampion i Shqipërisë, poashtu edhe i pari boksier që ka fituar medalje europiane dhe përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në kampionatin botëror të boksit.

Edhe pse ka një përvojë të gjatë si boksier, Nelson Hysa ka filluar boksin profesionist këtë vit dhe deri më tani, ka arritur një fitore. Kjo e mbrëmjes së sotme në Shkodër, është ndeshja e dytë si profesionist për Hysën.

Ndërkohë që, kundërshtari i tij, serbo-boshnjaku Janjiç ka një rekord prej 22-fitoresh në boksin profesionist dhe është në pozita shumë të mira në rang-listën botërore.

Maringlen ZHIVANI