Rud Gulit ka dhënë një intervistë për “RMC Sport”. Mik në një emision radiofonik, holandezi nuk kishte si të mos fliste për ish-klubin e tij.

Pikërisht në lidhje me Milanin, ai tha: “Gatuzo po mundohet të ringrejë skuadrën, por ky nuk është Milani i yjeve dhe ai nuk e ka të lehtë detyrën.

Të dielën do të jetë derbi dhe, pavarësisht se kuqezinjtë nisen të avantazhuar, derbi nuk njeh favoritë. Unë shpresoj të fitojë Milani”.

Nëse për ekipin komentet ishin pozitive, nga ana e Gulit nuk munguan shigjetimet për drejtuesit.

“Nuk e di çfarë po ndodh. Ajo që di, është se duhet të paguajnë 300 milionë euro. Jam munduar në 2-3 raste të flas me drejtuesit, por pa rezultat. U ndjeva keq, me krerët e mëparshëm kontaktoja lehtësisht.

Me Berluskonin, në fakt, nuk kam folur prej kohësh, ndërsa me Galianin po. Uroj të fitojë zgjedhjet dhe të zgjidhet senator”, tha ish-mesfushori.

Në fund, Gulit nuk ngurroi të bënte humor edhe me Botërorin duke deklaruar: “Mungesa në Rusi për italianët është katastrofë, ne në Holandë jemi mësuar”.