Flamurtari rikthen një emër të njohur të futbollit shqiptar. Alfred Ferko “gradohet” drejtor teknik.

Lajmi konfirmohet ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga burime zyrtare pranë klubit vlonjat.

Po të njëjtat burime thonë se 57-vjeçari vlonjat do të jetë edhe këshilltari i administratorit Sinan Idrizi.

Veç këtyre dy detyrave, Idrizi duket se i ka besuar Ferkos edhe pozicionin e zbuluesit të talenteve, (skaut).

Ngjitja në elitë kalon edhe nga klubi, që ka nisur të formatojë strukturat e tij. Ferko si futbollist ka qenë pjesë edhe kombëtares shqiptare në vitet 1986-1992, ndërsa është aktivizuar me Partizanin, Flamurtarin në kohën e artë të tij 1984-1989, me Dinamon dhe më pas në sezonin 1991-1994 është transferuar në Greqi te Panachaiki.

Është rikthyer në Shqipëri si trajner i Flamurtarit në sezonin 2003-2004 dhe i Egnatias në 2004-2005. Ferko më pas ka qenë trajner edhe i Shkumbinit dhe Teutës.

Të gjithë këtë eksperiencë ai do ta vendos tashmë në dispozicion të arritjes së objektivit të Flamurtarit.

Që pas dorëheqjes së Vangjel Lalucit, kur kuqezinjtë ishin në Superiore, posti i drejtorit teknik ka qenë bosh, ndërsa mbahej përkohësisht nga drejtori sportiv, Ardi Ciruna.

Ky i fundit e pas largimit të Ardi Beharit, mbante të dyja këto poste. TESTI – Flamurtari ka zhvilluar në fundjavë një ndeshje kontrolli.

Testi brenda familjes është ndjekur nga afër edhe nga drejtori i ri teknik, Alfred Ferko.

Trajneri duke mos dashur të rrezikojë dëmtime të tjera para startit, ka vendosur të mos ketë kundërshtarë përballë.

Dritan Resuli ka shfrytëzuar rastin për të parë gjendjen edhe të lojtarëve të rinj që i janë bashkuar skuadrës së fundi.

Në testin që u luajt në ambientet e stadiumit, trajneri ka bërë ndryshime të herëpashershme të formacioneve dhe pozicioneve të lojtarëve.

MERKATO – Kjo javë do të jetë vendimtare edhe sa i përket merkatos. Vlonjatët presin që të vijë Erik Flores, që zgjidh shumë probleme në ofensivë.

Burime pranë klubit pohojnë, se sot të prezantohet edhe dy brazilianë të tjerë, që luajnë si mesfushorë dhe sulmues.

Thuhet se ata kanë udhëtuar tashmë drejt Shqipërisë, për të firmosur dhe për t’u vënë nën urdhrat e stafit teknik./PANORAMA-SPORT/