Vitet kalojnë, por sfida Flamurtari-Vllaznia vazhdon të mbetet një nga përballjet më të forta të futbollit shqiptar, edhe pse vlonjatët tashmë ndodhen në Kategorinë e Dytë. Dy shkolla të ndryshme futbolli që kanë frymëzuar breza të tërë, ditën e nesërme, në orën 13:45, do të sfidojnë njëra-tjetrën në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Stadiumi “Flamurtari” do të hapë dyert për këtë 90-minutësh, për llogari të Kupës së Shqipërisë, me dy skuadrat që ndodhen në kategori të ndryshme.

Takimi mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, po ashtu do të jetë edhe një përballje ish-ësh. Arsid Kruja dhe Ardit Hoxhaj do të luajnë me statusin e ish-it në Vlorë, ndërsa në krahun tjetër, Denis Pjeshka, Olsi Gocaj, Ditmar Bicaj, Andi Ribaj dhe Behar Ramadani, janë lojtarët që kanë statusin e ish-it te Flamurtari.

Vllaznia ka ende shije të hidhur pas barazimit në Shkodër me Egnatian, ku skuadra shkodrane nuk arriti të dilte me pikët e plota pavarësisht lojës bindëse, megjithatë nuk dha shenja pozitive në aspektin sulmues.

Në Shkodër, vazhdon të ndihet mungesa e një qëndërsulmuesi me peshë dhe ky është problemi më i madh në rradhët e skuadrës shkodrane që pas katër javëve rresht pa asnjë fitore, kërkon të marrë një rezultat pozitiv në Vlorë për të dalë edhe nga “ngërçi” që po kalon ekipi.

Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe Flamurtari ka në organikë lojtarë të spikatur, teksa Pjeshka, Gocaj, Bicaj, Ribaj apo edhe Ramadani, në çdo moment, janë gati për të zgjidhur ndeshje të tilla dhe ta komplikojnë situatën.

Megjithatë, e vërteta është se dueli i së nesërmes ndryshon shumë nga ato përballjet e tjera, pasi Flamurtari ndodhet në Kategorinë e Dytë. Një klasike që shikon favorite Vllazninë, por në futboll nuk i dihet kurrë dhe mbetet për t’u parë se si do të përfundojë ky takim.

Për ata tifozë shkodranë që e kanë të pamundur që të udhëtojnë drejt Vlorës dhe të ndjekin ekipin e zemrës nga shkallët e stadiumit, mundësia për ta parë në televizor ekziston, pasi Flamurtari-Vllaznia, që do të luhet ditën e nesërme, në ora 13:45, do të transmetohet në platformën “Digitalb”.

Takimi mund të ndiqet në SuperSport 3, teksa ndeshja pritet të luhet në temperatura të ulëta, të cilat prej ditësh po e karakterizojnë vendin tonë.
Maringlen Zhivani