Vllaznia- Tirana është sfida e shumëpritur që presin të gjithë. “Klasikja” e futbollit shqiptar vjen në një moment të rëndësishëm për kampionatin shqiptar ku gara e titullit kampion mund të rihapet, por edhe mund të mbyllet. Rezultati i saj mund të vendosë shumë gjëra dhe pikërisht për këteë arsye, vëmendja nuk është e përqendruar vetëm nga shkodranët dhe tiranasit.

Po kush është favorit për ndeshjen e së dielës? Një pyetje që për momentin nuk mundet t’i japë askush përgjigje, megjithatë ne kemi të drejtë të parashikojmë. Të shohim kush ka më shumë avantazhe dhe disavantazhe, kush ka lojtarët më të formë dhe a do të vendosin trajnerët në këtë ndeshje apo jo.

Pikërisht për këto arsye, gazeta “Shkodra Sport” ka vendosur të bisedojë me një panel gazetarësh nga më të njohurit në Shqipëri, për të marrë prej tyre përgjigjet e pyetjeve të mësipërme. E nisim këtë rubrikë me prezantuesen e mirënjohur dhe drejutesen aktualisht të emisionit “Studio Sport” në Vizion Plus, Vilma Masha. Më poshtë keni mundësi të lexoni intervistën e saj dhënë për gazetën tonë:


– Vilma, të dielën luhet “klasikja” Vllaznia- Tirana. Do jetë vendimtare kjo ndeshje për fatet e titullit kampion?

Kjo klasike unë besoj që do të jetë një ndeshje mjaft e bukur, por jo vendimtare. Diferenca e pikëve nuk më bën të mendoj se është vendimtare për titullin kampion. Ka ende kohë, ka ende kampionat. Ne kemi parë edhe përgjatë sezoneve të shkuara se si kanë ndryshuar gjërat.


– Kush është më i avantazhuar në këtë pragndeshje?

Të dyja janë skuadra që dhurojnë futboll të bukur, të bindin me lojë. Madje mendoj që Vllaznia ka lojtarë edhe më cilesorë nëse do i ndanim me reparte. Vllaznisë i duhen pikët për të ngushtuar diferencën e kreut, ndërsa Tiranës për ta thelluar me ndjekëset. Besoj që do të jetë ndeshje me dinamikë dhe argëtuese.

– Josa apo Shehi, kush do ta fitojë këtë ndeshje?

Josen dhe Shehin i kemi parë dhe në ndeshje të tjera. Të dy e dinë si luajnë ekipet kundërshtare në këtë pikë të sezonit. Nëse kane ndonjë “as nën mëngë”, mbetet për t’u parë. Nuk mund të them kush e fiton sepse mendoj që ndeshja do të ketë shumë gola.

– Balaj apo Hasani, do ta vendosë ndonjëri prej tyre këtë ndeshje?

Do kisha shumë dëshirë të shënonin të dy, pasi cilësitë e tyre e bëjnë futbollin edhe më të bukur. Mua më pëlqen ndeshja me gola dhe aq më shumë kur vendoset nga lojtarët cilesorë, që bëjnë edhe diferencën në momente të caktuara. Për Balajn jam kureshtare shumë.

– Do jetë vërtetë “klasike” edhe këtë herë në fushë dhe në tribuna kjo ndeshje?

Unë shpresoj shumë që të jetë e tillë, pasi në tribuna ndeshen dy tifozeritë më të zjarrta të kampionatit. E di mjaft mirë si përjetohet futbolli në Shkodër dhe uroj që të gjithë atë mbështetje ta tregojnë edhe në stadium. Tifozët e Tiranës pastaj dihet që e ndjek ekipin kudo. Mendoj se do të jetë një ndeshje që do të kets interes.


– Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e secilët skuadër në këtë ndeshje?

Avantazhet vlejnë për të dyja, lojtarët cilësorë që bëjnë diferencën. Disavantazhet, padiskutim mungesat. Nëse Vllaznia nuk rikuperon Latifin, mbetet për t’u parë. Por besoj te grupi dhe te shpirti i garës.
Intervistoi: Gjergj KOLA