“Loro Boriçi” do të presë ditën e dielë një nga sfidat më emocionuese të Abissnet Superiore, ora 16:00. Dy skuadrat më me traditë në historinë e futbollit shqiptar do të vihen përballë njëra-tjetrës. Ky takim është mjaft i rëndësishëm pasi luhet për “llogaritë” e titullit kampion.
Shkodranët kanë shansin e artë për të mposhtur Tiranën dhe për të rihapur garën për titullin kampion, pasi aktualisht diferenca mes tyre në klasifikim është vetëm 6 pikë.
Në një duel kaq të rëndësishëm siç është Klasikja e Shqipërisë, kuqeblutë kanë kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve, që të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit. Për këtë janë bërë të ditur edhe çmimet e biletave si dhe mënyrat se si mund t’i blejnë ato.
“KF Vllaznia bën të ditur se nga dita e sotme, dt. 10 Shkurt 2023, do të nisë shitja e biletave për ndeshjen e futbollit VLLAZNIA – TIRANA, e vlefshme për javën e 21-të të Abissnet Superiore!
Ndeshja do të luhet, ditën e Dielë, dt. 12 Shkurt 2023, ora 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër”, thuhet ndër të tjera në postimin e kuqebluve.