Gazeta “Shkodra Sport” ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë tifozëve shkodranë. Për të përçuar më tej emocionet e tyre, pritshmëritë dhe njëkohësisht edhe ankthin me të cilin i përjetojnë ndeshjet e Vllaznisë.
Në këtë kuadër, gazeta juaj ka kontaktuar sërish me disa prej tyre, për të folur me ta rreth ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë Vllaznia- Laçi, mënyrës si po e presin atë dhe njëkohësisht edhe duke i marrë një parashikim për rezultatin përfundimtar të saj.
Njëri nga këto tifozë është edhe Bledar Tafaj i cili ka pranuar me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” për sfidën e së martës. Më poshtë mund të lexoni edhe përgjigjet e pyetjeve që ai ka dhënë për gazetarin Maringlen Zhivani:
– Bledar, duke qenë një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë, si e shikoni ju finalen e së martës ndaj Laçit?
Normalisht që tifozi asnjëherë nuk është skeptik, pra mosbesues ndaj skuadrës së vet. Unë them që Kupa nuk duhet të shihet si varkë shpëtimi për sezonin, por edhe si një mesazh që i jepet të gjithë opinionit sportdashës se Vllaznia është Vllazni dhe këtë sezon ka merituar më tepër.
– A besoni te fitorja e Kupës ndaj Vllaznia?
Absolutisht që po. Edhe sikur pjesa e parë të mbyllej 2-0 për Laçin, unë jam tifoz dhe shpresoj deri në fund se ne do të shpallemi për të dytin vit rradhazi fitues të Kupës.
– Cila mendoni se duhet të jetë pika më e fortë e Vllaznisë në këtë ndeshje për të shkuar drejt suksesit, si e mendoni ju?
Shpirti i Vllaznisë që për mua është binom: Tifozëri plus lojtarët në fushe. Ne jemi mësuar që sëbashku me ba gjëra të bukura gjithmonë dhe shpresoj të ndodhë kështu sërish.
– A keni informacion për numrin e tifozëve shkodranë që mendohet të jenë të pranishëm në “Air Albania”?
Besoj se djemtë e grupimit “Vllaznit Ultras” që për mua janë një ndër asetet e rëndësishme të Vllaznisë, do jenë në lartësinë ë duhur si gjithmonë por jo vetëm ata. Prandaj i ftoj të gjithë ata që kanë mundësi, që të vijnë në “Air Albania” dhe të tregojmë se kush jemi. Besoj se jemi tifozëria më e zjarrtë në Shqipëri
– E fundit Bledar, një parashikim i juaji për rezultatin e kësaj finaleje?
Fitojmë 2-0 dhe shënues them se do jenë Aralica dhe Krymi.
– Faleminderit për kohën që na kushtuar për këtë intervistë…
Faleminderit juve për intervisten, ishte kenaqësi dhe shpresoj që me 31 maj ta ndezim festën nga Tirana në Shkodër ashtu si vjet!
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI