Klodian Gjino prish marrëveshjen me Vllazninë. E çuditshme, por e vërtetë. Mesfushori shqiptar që ka bërë karrierë në Greqi erdhi në Shkodër, qëndroi dy ditë dhe më pas u largua. Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” vetë drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati.

Në klubin kuqeblu kanë mbetur të zhgënjyer për faktin se lojtari nuk ka pëlqyer kushtet e akomodimit. Duke parë tekat e futbollistit, palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, edhe pse kishin rënë dakord ditë më parë për një kontratë 18-mujore.

Ndërkohë, Djarmati konfirmon për gazetën se Vllaznia mund të prezantojë sot mesfushorin e Kombëtares së Togos, Elom Nya-Vedji. Bëhet fjalë për një lojtar tipik krahu, që mund të luajë si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë.

“Po, jemi afër firmës me Vedji, sot mund të prezantojmë futbollistin. Po bisedojnë detajet e fundit”, konfirmoi drejtori sportiv i kuqebluve për “panoramasport.al”.