Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza është grumbulluar prej 29 marsit në Durrës, duke u përgatitur për ndeshjet e raundit të dytë të Kampionatit Europian 2023 që do të zhvillohen në vendin tonë në datat 5-11 prill. Skuadra e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi është shortuar në grupin B7 me dy rivale shumë të vështira, Skocinë dhe Lihtenshtejnin.

Stafi teknik i ekipit kombëtar U-19 për vajza ka thirrur në këtë grumbullim 20 futbolliste, ku pjesa më e madhe aktivizohen në kampionatin vendas. Futbollistja e Vllaznisë Arlinda Kodra, në një prononcim për Fshf.org, ka folur për grumbullimin dhe si po shkojnë përgatitjet në kuadër të turneut zyrtar.

“Atmosfera në grup është shumë e mirë. Po përgatitemi fort për këto dy ndeshje dhe të marrim rezultate të mira për t’u ngjitur në Ligën A. Ne në fushë hyjmë gjithmonë për të marrë rezultat pozitive. Skocia është një kundërshtar i fortë, por ne do të bëjmë më të mirën dhe do të japim maksimumin tonë që të marrim më të mirën.

Ne nuk i druhemi asnjë ekipi, sepse ne luajmë me zemër dhe po të hyjmë në fushë duke pasur frikë, s’do kemi as rezultate pozitive” – tha Arlinda, e cila nuk ngurroi gjithashtu të fshehë kënaqësinë që ka marrë sërish një ftesë për të përfaqësuar ekipin e zemrës së saj, ndërsa tregoi edhe synimet për të ardhmen.

“Jam shumë e lumtur që kam marrë ftesë dhe që do të përfaqësoj ekipin e zemrës time dhe të kualifikohemi në Ligën A. Synimet e mia për të ardhmen janë që të arrij sa më lart, me punë, disiplinë dhe të bëj më të mirën time” – përfundoi Arlinda Kodra për fshf.org.