Mesfushori i Elbasanit, Abaz Karakaçi, u shpreh i zhgënjyer që skuadra nuk arriti dot të merrte tre pikët në Ballsh kundër Bylisit, edhe pse ishin më të mirët në fushë sipas tij. Ai tha se fitorja duhet të vinte si dhuratë ndaj presidentit, për të cilin nuk i kurseu elozhet.

“Sot ishte një ndeshje e mirë nga ana e ekipit tonë. e kishim përgatitur ndeshjen që të vinim këtu në Ballsh për të dalë me tre pikë. I patëm ato rastet tona, nuk i shfrytëzuam. Besoj po të ishim pak më të përqendruar në rastet që krijuam, sot do ishim me tre pikë sepse besoj që treguam diferencë me Bylisin. Sot të paktën ishte dita jonë më e mirë.

Futboll pa presion nuk ka, por normalisht që ne kishim dëshirë të madhe për të marrë vendin e parë sot. Po të merrnim tre pikët në Ballsh do të ishte akoma më bukur. Do na shijonte vendi i parë më shumë. Por fati ishte sot me skuadrën e Bylisit dhe mbajtën rezultatin e barabartë.

Kemi punuar shumë për finalizimin, sidomos këto dy-tre javët e fundit po përgatiteshim shumë për të shënuar sa më shumë gola. ndeshja që ishte përpara me Luzin, e bëmë shumë mirë. të paktën dhe unë ndjej keqardhje sepse ekipi tregoi shumë vlera sot.

Këtu në Elbasan nuk është se kanë munguar premiot. Kemi një president shumë korrekt dhe është një nga të paktët presidentë që investon kaq shumë për sportin. Keqardhja më e madhe e ekipit ishte që të merrnim tre pikët sot dhe t’i bënim një dhuratë të madhe presidentit, duke pasur parasysh se dy ditë më parë ka pasur dhe ditëlindjen.

Të them të drejtën kjo ishte ndeshje më e mirë se ajo e Elbasanit, sepse ekipi ishte gjatë gjithë kohës në ekuilibër dhe nuk gabuam. Thuajse në 99% të rasteve, ekipi ishte gati për çdo kundërsulm të Bylisit. Sa i përket ndeshjes së kaluar ë luajtëm në Elbasan, kaluam në avantazh, por pak oshilacione dhe pak mungesë përqendrimi, u ndëshkuam dy herë.

Edhe ne ishim të vetëdijshëm që po zhvillonim një ndeshje shumë të mirë. Kishte pakënaqësi, sepse ekipi kur zhvillon një ndeshje shumë të mirë, mërzitet sepse vjen këtu për të marrë tre pikët, por nuk finalizonim dot. Kjo ishte keqardhja më e madhe për ne.