Nëse duan shkëputjen, gabimet janë të ndaluara për Bylisin. Këtë e thotë edhe Aleksandër Trumçi, që llogarit vetëm fitoren përballë Besës. Anësori i linjës së djathtë beson te forca e skuadrës së tij, e megjithatë kërkon vigjilencë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani flet edhe për shtyrjen e ndeshjes për të hënën.

“Ne vijmë në këtë duel, pas një fitoreje shumë të rëndësishme në Fier. Kampionati është në fazën e vet më interesante, por ne nuk kemi gabuar dhe kjo do të thotë shumë. Kemi bërë ndeshje të mira dhe ia kemi dalë mbanë. Pikët nuk i kemi falur, por edhe lojë kemi zhvilluar.

Kemi qenë në lartësinë e duhur edhe me ekipet rivale, që i kemi dominuar. Të ashtuquajturat ‘të vogla’, janë ato që na kanë hapur më shumë punë dhe ky është fakt. Ato mblidhen prapa me forca të shumta, por sidoqoftë ne i kemi zgjidhur.

Besa? Është skuadër me traditë të madhe në futbollin shqiptar dhe duhet ta vlerësojmë. Duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’ dhe të luajmë vetëm për fitore.

Shtyrja u mendua si zgjidhja më e mirë, duke ditur kushtet atmosferike dhe na jep edhe pak ditë më shumë që të përgatitemi. Luajmë ndeshjen e fundit të kësaj faze në fushën tonë dhe duhet të marrim 3 pikët”, përfundoi Trumçi.