Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, ka prezantuar dje para mediave trajnerin e ri të ekipit U-21 kuqeblu, Dean Sibson. Në prag të fillimit të kampionatit për këtë grupmoshë, që është në sezonin e tij të dytë në Shqipëri, anglezi ka treguar pse pranoi ofertën e klubit shkodran.

“Është një privilegj të jem këtu mes jush. Po përshtatem për të jetuar në Shkodër, pasi kam ardhur këtu prej ambicies dhe emrit të klubit, që e di se në të kaluarën ka pasur shumë sukses.

Për mua është një mundësi fantastike të punoj me njerëz të mirë, jo vetëm me ata që kam në krah, por edhe lojtarët e akademisë dhe gjithë stafin. Deri më tani jam i impresionuar me përkushtimin, sjelljet pozitive dhe kualitetin e treguar prej trajnerëve dhe lojtarëve.

Personalisht kam filluar të trajnoj shumë herët sepse pata një dëshirë të madhe të jem trajner. Synimi te Vllaznia është të përgatisim sa më shumë lojtarë cilësorë për ekipin e parë dhe për këtë arsye do të kemi një bashkëpunim të ngushtë me stafin e kryesueses nga Brdariç”, deklaroi 34- vjeçari anglez, i cili vjen në Shkodër pas eksperiencës si trajner në Finlandë me Kemi Siti dhe Suedi me Grythytans IF.

Më parë ai ka punuar si skaut i disa klubeve angleze, përfshi Stok Siti dhe Volves. Në konferencën e djeshme për mediat, i pranishëm ishte edhe ndihmësi i tij, Ergi Borshi, një ish-futbollist i Vllaznisë dhe Teutës./panorama-sport.com/