Nesër në “Selman Stërmasi” do të luhet ndeshja e parë e Kupës, ajo në mes Tiranës dhe Vllaznisë. Padyshim që pritet me interes kjo sfidë për vetë emrin dhe historinë e dy klubeve. Tek kampin kuqeblu duket se tashmë janë gati për këtë takim. Çdo gje tashme eshte gati per kete ndeshje dhe pritet vetem fillimi i saj. Trajneri Ernest Gjoka në një intervistë të dhënë për portalin “eduasportin.com” pasditen e sotme është shprehur me optimizëm për këtë sfidë.

“Është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne. Skuadra është përgatitur seriozisht për të marrë një rezultat pozitiv”, – thotë në fillim të fjalës së tij për këtë portal trajneri Ernest Gjoka i cili njëkohësisht ka vënë në dukje se skuadra e Vllaznisë kërkon fitoren kundër Tiranës. Për teknikun e shkodranëve nuk ka asnjë nënvlerësim për Tiranën, pavarësisht se bardheblutë ndodhen në Kategorinë e Parë. “Nuk e nënvlerësojmë Tiranën, pavarësisht se bardheblutë ndodhen në Kategorinë e Parë. Tirana mbetet Tiranë, janë 24 herë kampionë Shqipërie dhe një ekip me mjaft traditë.

Vllaznia dhe Tirana janë emra që i kanë dhënë drejtim futbollit tonë dhe do të jetë një përballje e bukur, u bëj thirrje edhe tifozëve që të na mbështesin”, – shton më tej Gjoka. Kur e pyet për anët teknike, Gjoka nuk preferon të flasë shumë dhe tregohet i rezervuar.“Do të ketë disa rotacione të vogla për t’i dhënë hapësirë disa djemve që kanë disa probleme të vogla. Duam t’i fitojmë për ndeshjen me Laçin”.

Ndërmjet Kupës dhe Kampionatit, Gjoka mendon se duhet të tregohen të zgjuar dhe të marrin maksimumin në të dy këto kompeticione. “Mendoj se duhet të tregohemi të qetë në Kampionat dhe të marrim maksimumin e pikëve. Kupa është një objektiv tjetër i rëndësishëm dhe do të mundohemi që të bëjmë sa më shumë hapa përpara. E rëndësishme për mua dhe stafin tim është që të rikthejmë qetësinë psikologjike te skuadra. Ndeshja e sezonit të kaluar? Nuk mendoj se do të ketë një ngërç psikologjik. Mendoj se do të jetë ndeshje e kujdesshme me dy ekipe që duan të marrin maksimumin”. Gjoka tregon se e njeh Tiranën edhe pse nuk është në Superligë. “Në momentin që pamë shortin e Kupës, menjëherë nisëm studimin e Tiranës. E njoh ekipin bardheblu dhe e di se ku duhet t’i bllokojmë”, – përfundon Gjoka prononcimin e tij.
© shkodrasport.com