Tre fitoret e fundit rradhazi të ekipit “Vllaznia B” ka rikthyer entuziasmin në rradhët e kësaj skuadre. Futbollistë e trajnerë tashmë e shohin veten më të fortë dhe më dinjitozë për t’u përballur me çdo kundërshtar. Vërtetë ekipi ndodhet aktualisht në vendin e gjashtë në renditje, por ai shumë shpejt mund të ngjitet edhe më lart. Një bindje të tillë e ka shprehur zëvendëstrajneri i këtij ekipi Admir Mehja i cili ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” dhe duke folur për ndeshjet e ardhshme, ka thënë:

“Nëse në fazën e parë vuajtëm nisjen jo të mirë për shkak edhe të kalendarit, tashmë gjërat kanë ndryshuar. Kalendari kthehet në favorin tonë dhe në dy javët e para të fazës së dytë kemi dy ndeshje brenda në Shkodër. Fillimisht do të presim këtë javë Egnatian e Rrogozhinës dhe më pas Tërbunin e Pukës. Padyshim që objektivi jonë është që t’i fitojmë këto ndeshje. Do ta nisim njëherë ndaj Egnatias, një skuadër e fortë por besoj se me kontigjentin që kemi dhe me formën që po kalojmë, mund t’ia dalim. “Vllaznia B” ka tashmë një bashkëpunim shumë të mirë me ekipin e parë por edhe me Akademinë teksa kemi marrë dhe dhënë lojtarë me to dhe kjo na ka shërbyer për mirë. Shembulli më i mirë është shkuarja e Hajdarit e Ruçit tek ekipi i parë, ardhja e Sherrit, Pusit e ndonjë tjetri për të luajtur me ekipin “B” ndërkohë që shumë pozitive është padyshim ardhja e dy lojtarëve të rinj, 17 vjeçarit Isufi dhe 18 vjeçarit Hysenaj të cilët po tregojnë personalitet dhe janë element të së ardhmes. Jam i bindur se ne do ta arrijmë objektivin që kemi, ngjitjen në pesëshen e ekipeve më të mira të kampionatit dhe për ta bërë këtë gjë, së pari duhet të fitojmë këtë javë ndaj Egnatias”

© shkodrasport.com