Vllaznia është duke kaluar një nga momentet më të errëta të këtij sezonit. Kështu, për pasojë, nga ndeshje në ndeshje, numri i tifozëve në sfidat e Vllaznisë, po vjen në rënie, teksa një gjë e tillë u pa edhe në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit.

Trajneri shkodran Arben Parmeza, ka komentuar situatën e tifozëve në shkallët e stadiumit. Ai shprehet se Vllazninë tifozët shkodranë duhet ta mbështesin në fitore apo edhe në humbje, ndërsa thotë se me Kastriotin ai vetë nuk e priste një tifozëri aq të pakët në stadium.

“Te Vllaznia ka një situatë të keqe ose një minus në drejtim të mbështetjes së këtij ekipit, në raport me tifozërinë pra. Me Kastriotin, nuk e prisja një tifozëri aq të pakët në stadium me thënë të drejtën. Pra, nëse ne flasim për tifozët, tifozi është i mirë edhe kur je në fitore edhe kur je në humbje.

Ky është tifozi sot, kurse sot janë bërë të gjithë tifozë Facebook-ut. Kam parë tifozë që bëjnë rreshtimin e ekipit. I thonë trajnerit hiq këtë, vendos atë. Pra, ka humbur sensi i tifozllëkut.

Edhe unë them, që ekipi duhet të mbështetet. Kush është tifoz, shkon e mbështet ekipin, pastaj ta bëjnë analizën, kush është për ta bërë analizën. Këtë po them unë.

Në qoftë se, po them që ka luajtur keq ekipi, duhet të përmendim edhe këtë, por nuk e kuptoj me një fjalë pse nuk mbështet ekipi. Unë mendoj që ekipi duhet të mbështetet.

Ekipi i Vllaznisë duhet të mbështetet me patjetër. Duhet të ketë tifozllëk shumë më të madh. Ne po flasim për lojtarin e 12-të, po ku ishte ndaj Kastriotit lojtari i 12-të”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Murlanit të femrave,
Arben Parmeza.
Maringlen ZHIVANI