Ditën e sotme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua konferenca për shtyp e trajnerit të Kombëtares A për femrat, Vioresin Sinani dhe U-19 së femrave, Maringlen Kule. Të dy skuadrat do të grumbullohen në Durrës për 4 ditë, deri në daten 28 shkurt 2019.

Në fjalën e tij, trajneri i kombëtares A të femrave u shpreh:” Mendoj se është momenti i duhur për të zhvilluar këtë grumbullim 4-ditor në qytetin e Durrësit, në këtë trajnim kemi grumbulluar futbollistet që luajnë në vendin tonë sëbashku me disa vajza që luajnë në Kosovë. Kjo fazë do na shërbejë për të gjetur ndonjë element të ri, të cilat do na bëhen pjesë për ndeshjet kualifikuese.

Si futbollistet që luajnë këtu si ato që aktivizohen në Kosovë, janë pjesë e Kombëtares sonë, qëllimi është të shikojmë gjendjen e tyre. Kemi një bazë të mirë të ekipit sëbashku me vajzat që luajnë jashtë. Ekipi që drejtoj ka nevojë edhe për 3-4 elementë të rinj që të konsolidohet sic duhet.

Unë uroj shumë që ashtu si Megi Doçi edhe vajzat e tjera të ekipit përfaqësues të japin më të mirën, sikurse kam bindjen që në eliminatoret e rradhës do të zhvillojmë ndeshje të mira. Sa i përket objektivave, ne e dimë forcën e ekipit përfaqësues dhe mendoj që hap pas hapi do e rrisim nivelin dhe objektivat do të jenë më të larta.

Ekipi që drejtoj ka ardhur në rritje dhe është më kompakt, pasi eksperienca vjen në rritje. Përsa i përket eliminatoreve në vijim, sidomos në ndeshjet që kemi në Shqipëri, do të luftojmë për rezultate pozitive. ”