Vllaznia u dekorua nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, me medaljen “Nderi i Kombit” në 100-vjetorin e themelimit të saj. Bashkë me këtë dekoratë, 19 sportistë dhe trajnerë të ndryshëm morën titullin “Mjeshtër i Madh” në një mbrëmje gala në teatrin “Migjeni” mes personaliteteve të sportit, por jo vetëm.

Ndër personat që morën këtë titull janë disa prej emrave të shquar të futbollit shkodran. Gjatë fjalës përshëndetëse, disa prej tyre kërkuan ringritjen e Vllaznisë në vendin ku i takon.

Rënia e këtij klubi që festoi 100-vjetorin në Kategorinë e Parë i ka pezmatuar të gjithë aq më tepër në këtë vit jubilar të festimeve. Edhe pse një ekip që tashmë ka një shekull ekzistencë i mbushur me histori, disa prej yjeve të saj kërkojnë që Vllaznia të jetë sërish në elitën e futbollit shqiptar.

Një tjetër ish-sulmues që ka mbetur si një prej beniaminëve të mijëra tifozëve të Vllaznisë, i cili mori titullin “Mjeshtër i Madh”, Edi Martini, tha se Vllaznia duhet të ruhet si Kalaja e Rozafës. Martini është një prej zërave më kritikë të Vllaznisë për situatën jo të mirë që po kalon vitet e fundit.

Edhe kësaj here nuk nguroi që të japë mesazhin e tij. “Faleminderit për titullin. Në këtë 100-vjetor po na dhemb zemra për Vllazninë, për situatën në të cilën ndodhet. Vllaznia dhe Kalaja Rozafës janë dy emblema të Shkodrës. Ne duhet ta ruajmë Vllazninë ashtu si ruajtëm Rozafatin dhe të punojmë për Vllazninë ashtu si punuam për kalanë”, u shpreh ish-futbollisti, Edi Martini.